“3D”- Çipa: Masat qytetare nuk bashkohen nga kriza e besimit, rotacioni është stanjacion

Analisti Aleksandër Çipa ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se në situatën aktuale politika janë dy elementë; kriza e besimit dhe kriza politike.
Duke analizuar qasjen e opozitës dhe tryezën e sotme të Partisë Demokratike, Çipa theksoi se masat qytetare nuk bashkohen sepse ka mosbesim.
“Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me dy gjëra; me krizën e besimit dhe krizën politike. Krizën politike e aktoron dhe e sjellin aktorët politikë.
Krizën e besimit nuk e kanë në dorë dhe nuk e administrojnë ata. Krizën e besimit e administrojnë kur lindin ata që quhen protagonistët që determinojnë në mënyrë substanciale krizën, stanjacionin, status-quonë dhe mosbesimin në masat qytetare.
Masat qytetare nuk bashkohen deri tani se nuk e dimë çfarë ndodh nesër, pikërisht në emër të mosbesimit sepse këta qeverisin edhe mërzinë tonë”, tha Çipa.
Ai vuri në dukje se në Shqipëri nuk ka rotacion politik, por stanjacion ku një figurë politike qeveris për një kohë të gjatë dhe po ashtu një forcë tjetër politike kur vjen në pushtet.
“Dhe kur qeverisin mërzinë tonë, nuk ka arsye të besojmë se do të bëhet…Rotacioni në Shqipëri sipas kësaj platforme është zëvendësim; një kohë të gjatë rri unë, një kohë të gjatë duhet të rrish ti. Po ky nuk është rotacion.
Ne jemi pikërisht te ky stanjacion; te stanjacioni që e kemi emërtuar gabimisht “rotacion”.
Këto tryeza që bën opozita janë normale sepse ne kemi bërë vërejtje nja 3-4 vite rresht që opozita nuk po formalizon veten sepse ishte në një informalitet; nuk merrej vesh se kush qe forca kryesore, kush e kishte statutin dhe kush e kishte vulën, kush e kishte logon”, nënvizoi Çipa.
/rtsh.al/