E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, bie “alarmi i kuq”, Vjosa kthehet në shtrat, banorët e Ferrasit rihyjnë në shtëpi

Pas orëve të gjata ankthi, situata në Qarkun e Fierit ka shënuar një kthesë vendimtare pasditen e sotme. Nivelet e lumenjve Seman, Shkumbin dhe veçanërisht Vjosa kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Rikthimi në Ferras

Lajmi i mirë vjen nga fshati Ferras, pika më nevralgjike e 24 orëve të fundit. Uji është tërhequr ndjeshëm, duke bërë të mundur që 7 familjet e evakuuara (18 persona) të rikthehen në banesat e tyre.

Bashkia Fier ka nisur menjëherë operacionin e pastrimit të inerteve dhe baltës nga oborret dhe rrugët, e mbështetur nga 20 trupa të Forcave të Armatosura dhe mjete të specializuara thithëse.

Bilanci i infrastrukturës

Vjosa në Urën e Mifolit po tërhiqet në shtratin e saj natyral. Semani dhe Shkumbini gjithashtu kanë tendencë uljeje.

Hidrovori i Darzezës po punon me kapacitet të plotë për të larguar ujërat sipërfaqësore jashtë argjinaturave.

Furnizimi me energji elektrike është normal. Furnizimi me ujë në qytetin e Fierit është rikthyer, por autoritetet saktësojnë se aktualisht është për përdorim sanitar.

Të gjitha akset janë të kalueshme dhe nuk raportohen dëmtime në argjinatura apo infrastrukturë kritike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›