E Premte, 6 Nëntor 2026

44-vjeçari shqiptar i arrestuar për vrasjen e dyfishtë në Greqi, rrëfen edhe dy krime të tjera

Një 43-vjeçar shqiptar, i dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e ish-të dashurës së tij dhe partnerit të saj në vitin 2020 në Lutraqi të Greqisë, dyshohet se ka rrëfyer edhe dy vrasje të tjera të kryera në Shqipëri para vitit 2002.

Sipas mediave greke, shqiptari kishte ikur drejt Greqisë për t’iu shmangur drejtësisë, ndërsa në Shqipëri kërkohej përmes një Njoftimi të Kuq të Interpolit për tentativë grabitjeje të armatosur në bashkëpunim me një person tjetër.

43-vjeçari u arrestua në zonën e Patisias, në Athinë, teksa udhëtonte me dokumente identiteti të falsifikuara. Autoritetet greke dyshojnë se ai ishte përgatitur të kryente një tjetër sulm kriminal. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu përfshirjen e tij në dy vrasje të tjera, të cilat dyshohet se kanë karakteristikat e ekzekutimeve me pagesë.

Sipas dosjes hetimore, shqiptari ishte dënuar për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 10 nëntor 2020, në një shtëpi fshati në Lutraqi të Korinthit. Ai dyshohet se kishte vrarë me sëpatë ish-partneren e tij me origjinë ukrainase dhe partnerin e saj të atëhershëm, një farmacist nga zona.

Pas krimit, ai kishte marrë para dhe bizhuteri nga viktimat, ndërsa më pas kishte transportuar makinën në një zonë të izoluar dhe i kishte vënë flakën.

Gjatë kontrollit në apartamentin ku qëndronte, policia sekuestroi një pistoletë me ngjyrë argjendi dhe dorezë druri, dy granata dore funksionale, dy detonatorë, tri palë pranga metalike, si dhe lejen e qëndrimit të një personi tjetër, në të cilën ishte vendosur fotografia e tij.

Gjatë arrestimit, 43-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe zyrtarëve gjyqësorë. Për këtë arsye, ndaj tij janë ngritur edhe akuza për dhunë ndaj autoriteteve, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe të huajt.

Ndërkohë, përmes bashkëpunimit me autoritetet shqiptare dhe Departamentit të INTERPOL-it, u konfirmua se ndaj tij ishte në fuqi një kërkim ndërkombëtar për tentativë grabitjeje të armatosur në bashkëpunim.

Në të njëjtin operacion u arrestua edhe një grua e huaj 41-vjeçare, e dyshuar për strehimin e një personi të kërkuar nga drejtësia dhe për shkelje të legjislacionit për të huajt.

Sipas policisë greke, shqiptari rezulton i përfshirë edhe më herët në çështje që lidhen me drogën, grabitjet, armëmbajtjen, pastrimin e parave dhe shkeljet e legjislacionit për lojërat e fatit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›