Barcelona ua ofron tri klubeve angleze mundësinë e transferimit të yllit të saj

Barcelona është e gatshme të dëgjojë ofertat për Alejandro Balden gjatë afatit kalimtar të janarit, me gjigantët katalunas që kanë vendosur një çmim prej rreth 39 milionë eurosh për mbrojtësin e majtë.
Sipas raportimeve, Liverpooli, Manchester Unitedi dhe Aston Villa janë njoftuar për mundësinë e transferimit të 23-vjeçarit, i cili mund të largohet nga Camp Nou në muajin janar.
Megjithatë, një transferim i përhershëm nuk është domosdoshmërisht opsioni i vetëm.
Sipas mediumit spanjoll Diario SPORT, Jorge Mendes beson se një marrëveshje në formë huazimi, me opsion blerjeje, mund të jetë më tërheqëse për klubet e interesuara sesa një transferim i menjëhershëm.
Të tria skuadrat angleze i kanë dëgjuar kushtet e propozuara, por ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse do të bëjnë hapa konkretë për transferimin e tij.
Balde shihet si një futbollist që mund t'u ofrojë më shumë alternativa në fazën ofanzive skuadrave që kërkojnë përforcime në krahun e majtë të mbrojtjes.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse Liverpooli, Manchester Unitedi apo Aston Villa do të vendosin të hyjnë në garë për shërbimet e tij në janar./Telegrafi/