E Hënë, 2 Nëntor 2026

55 vite mjeshtëri, Pëllumb Mhypaj nga Këlcyra vazhdon të punojë duke ruajtur zanatin

Në hyrje të qytetit të Këlcyrës tërheq vëmendjen një punishte e vogël, ku çdo ditë dëgjohet tingulli karakteristik i saldimit. Aty punon Pëllumb Mhypaj, një mjeshtër me mbi 55 vite përvojë në zanatin e saldatorit. Pas përfundimit të shkollës dhe shërbimit ushtarak, ai iu përkushtua plotësisht këtij zanati, i cili për të është më shumë se një profesion, është vetë jeta e tij.

“E kam filluar këtë punë që vitet ’70. Ky zanat më pëlqente shumë, është i vështirë por të mban gjallë, je i pavarur, punon për veten”, tha ai.

Me përvojën e tij shumëvjeçare, ai u sugjeron të rinjve që të orientohen drejt zanateve, si një mënyrë e sigurt për të ndërtuar të ardhmen dhe për të ruajtur traditën e punës.

“Sot ka ardhur koha që njeriu duhet të ketë një zanat të punojë. Le të vijnë të rinjtë të mësojnë, për një javë e marrin zanatin”, tha ai

Edhe pse 78 vjeç, Pëllumb Mhypaj kalon ende orë të tëra në punishten e tij, duke përmbushur kërkesa të ndryshme pune dhe duke dëshmuar se pasioni për zanatin nuk njeh moshë.

Gazetare: L. Koçiu     

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›