60% e të rriturve mbipeshë, Hyska: Të ndërpresim urgjentisht rritjen e obezitetit

TIRANË, 4 mars/ATSH/ Në vendin tonë më shumë se gjysma e të rriturve dhe rreth 10% e fëmijëve janë mbipeshë ose obezë.
Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Jolanda Hyska tha sot për mediet se “60% e popullatës tonë është mbipeshë ose obezë dhe gati 20 % është obezitet. Edhe tek fëmijët jemi të krahasueshëm me nivelin mesatar europian ku 1 në 10 fëmijë janë mbipeshë ose obezë. Motoja këtë vit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të reaguar ndaj obezitetit është “Kemi 8 miliardë arsye për të ndryshuar obezitetin”, që do të thotë 8 miliardë njerëz sot në botë janë në një projeksion të së ardhmes në 2035-ën me një risk të rritur për të shtuar numrin e popullatës me obezitet”.
Sipas saj, duhet reaguar që në momentin e konceptimit të një shtatzënie, të merret në konsideratë ushqyerja dhe aktiviteti fizik.
Hyska u shpreh se “për fat të keq, po na ulen shifrat e ushqyerjes ekskluzive me gji, që është një nga elementët më të rëndësishëm edhe për obezitetin, sepse të dhënat tregojnë që nëse fëmija ushqehet me gji, do të parandalojë mbipeshën në moshë të hershme dhe komplikacionet”.
“Nëse ushqejmë fëmijën me gji, parandalojmë obezitetin në moshë të hershme. Qëllim kryesor është ndërprerja e rritjes së obezitetit. Është kaq e vështirë që sot të ndërpresim rritjen pastaj që ta ulim është objektiv i dëshirueshëm. Por fakti po tregon që në 10 vitet e fundit e kemi pasur shumë të vështirë ta ulim. Sa i përket obeziteti fëmijëror OBSH thotë se në dhjetë vitet e fundit është dyfishuar”, tha Hyska.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth 1,7 milionë njerëz humbasin jetën para kohe nga sëmundje jo të transmetueshme, ku obeziteti është një faktor i rëndësishëm.
/k.s/r.e/