Elbasani përmbys në shtëpi Partizanin, kalon në gjysmëfinale të Kupës

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Elbasani është gjysmëfinalisti i dytë i Kupës së Shqipërisë, duke përmbysur sot rezultatin e ndeshjes së parë.
Partizani erdhi me avantazhin e fitores 0 me 1 në Elbasan, falë golit me penallti të Xhuliano Skukës.
Takimi i luajtur në “Arenën e demave” përfundoi me rezultatin 1-3 për verdheblutë (2-3 rezultati përfundimtar i dy ndeshjeve). Serinë e golave e hapi Lajthia për verdheblutë, i cili në të 25′ shënoi golin e parë, pas një mosmarrëveshjeje mes mbrojtësve të Partizanit.
Kontreras barazon rezultatin në minutën e 39-të për të kuqtë.
Në pjesën e dytë serish Lajthia shënon duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2-2.
Në minutën e 97-të Partizani kishte rastin më të mirë për t’u kualifikuar për më tej, por topi i gjuajtur nga Hjumen përfundoi në traversë, duke e çuar kështu lojën në shtesë.
Në minutën e 119-të Ze Gomesh realizoi nga pika e bardhë e penalltive, duke e kaluar AF Elbasanin në gjysmëfinale.
Ndeshja Partizani-Elbasani ka pasur sërish një moment paniku në fushë. Pas episodit me Saliu Sembenen në kampionat, këtë herë ishte Vusal Isgandarli që ra pa ndjenja në minutën e 43-të. Sulmuesi i Partizanit u përplas me Arsen Lleshin dhe më pas u shtri në tokë.
Ndihma e stafit mjekësor ishte e menjëhershme. Isgandarli, pasi u përmend, mundi ta vazhdonte normalisht ndeshjen.