E Diel, 1 Nëntor 2026

80-vjetori i OKB, Tirana feston nën tingujt e koncertit “Better Together”

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Kombeve të Bashkuara, në Tiranë u organizua mbrëmjen e të premtes koncerti festiv me titullin “Better Together”, duke sjellë një atmosferë reflektimi, arti dhe mesazhi ndërkombëtar.

Ky aktivitet, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe bashkoi artistë shqiptarë dhe të huaj në një program shumëdimensional me muzikë, poezi dhe performanca të fjalës së lirë, kushtuar vlerave universale të paqes, drejtësisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit global.

Koncerti “Better Together” ngjiti në skenë interpretime nga autorë të njohur ndërkombëtarë si Bob Dylan, Edgar Albert Guest dhe John Lennon, të ndërthurura me elementë të muzikës tradicionale shqiptare dhe artistëve të rinj, duke sjellë në skenë një udhëtim të rrallë artistik që tejkalon gjuhët dhe kufijtë.

Me pesë temat qendrore: Paqja dhe Jo Dhuna, Të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësia, Dinjiteti dhe Barazia, Solidariteti Global dhe Shpresa për Gjeneratat e Ardhshme – koncerti është një thirrje për reflektim dhe bashkëpunim në frymën e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Aktiviteti vjen në vijim të një serie ngjarjesh kulturore që po zhvillohen në Tiranë në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare. Menjëherë pas këtij eventi, në datën 28 tetor 2025, do të nisë Java Kulturore Austriake, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, që do të sjellë koncerte, ekspozita dhe aktivitete të tjera kulturore, të cilat do të pasurojnë më tej kalendarin artistik të kryeqytetit.

80-vjetori i themelimit të Kombeve të Bashkuara, koncerti “Better Together” - Fotot: Flor Abazi 1 nga 11

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›