E Diel, 1 Nëntor 2026

“83 mandatet nuk na i fali kush”/ Rama në Asamblenë e PS-së në Njësinë 4: Jemi forca më e organizuar politike

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë numër 4 të Tiranës, foli për fitoren e zgjedhjeve të vitit të kaluar.

Sipas Ramës, 83 mandatet e marra gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 nuk u falën nga askush.

“Nuk është diçka e re, e kemi bërë këtë gjithmonë sepse ky është momenti për të filluar punën dhe për të projektuar fitoren e ardhshme vendore. Duke bërë atë që dimë të bëjmë si askush tjetër, të nisim nga organizmi dhe energjizimi. Vitin e shkuar morëm një fitore shembullore, me 83 mandate. Duhet ta keni parasysh shumë mirë që nuk na i fal kush.

Ne jemi forca më e madhe dhe më e organizuar në këtë vend. Jemi një parti politike që asnjëherë nuk ka folur vetëm me veten që kur mori mandatin e parë, por gjithmonë është përpjekur të flasë me njerëz dhe të kuptojë ata. Kemi bërë atë që kemi thënë, nuk na ka dalë gjithmonë t’i bëjmë në kohën kur kemi dashur, sepse jeta sjell shumë të papritura, sidomos jeta politike ka të papriturat e veta”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›