Vizita në Han të Hotit, Malaj: Modernizimi i administratës doganore, i rëndësishëm për integrimin në BE

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ishte ditën e sotme, 1 prill, në degën e pikës kufitare Hani i Hotit. I pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja.
Nga kjo vizitë, Malaj vëzhgoi nga afër aktivitetin e përditshëm të degës, duke përfshirë këtu procesin e përpunimit të deklaratave doganore dhe masat që po merren për lehtësimin e skanimit të mallrave dhe mjeteve, me qëllim rritjen e sigurisë, shpejtësisë së përpunimit dhe transparencës së procedurave.
Pas një diskutimi të bërë me punonjësit e pikës kufitare lidhur me fluksin e lartë të transportit ndërkombëtar, por edhe të përmirësimit të koordinimit me Malin e Zi, ministri theksoi se është mjaft i rëndësishëm modernizimi i administratës doganore.
Një njoftim i bërë nga zyra e shtypit të Ministrisë së Financave raporton se Malaj ka vënë gjithashtu theksin për lehtësimin e procedurave për biznesin, sa i përket kontrollit të importeve dhe eksporteve. Të gjitha këto janë të rëndësishme në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Hani i Hotit është një nga pikat doganore me rëndësi strategjike për të gjithë rajonin verior të Shqipërisë. Kjo pikë doganore tokësore me Malin e Zi mban peshën kryesore të aktivitetit doganor në rajon.
Siç raporton Ministria e Financave, të ardhurat e realizuara për vitin 2025 kanë ardhur në rritje, ndërsa koha mesatare e zhdoganimit është në ulje, duke reflektuar përmirësimin e proceseve dhe eficiencën operacionale.