E Hënë, 2 Nëntor 2026

90-vjetori i lindjes së kompozitorit të shquar Feim Ibrahimi

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kompozitori i shquar Feim Ibrahimi, sot do të mbushte 90 vjeç.

Ai mbetet një prej personaliteteve më të rëndësishme të muzikës shqiptare bashkëkohore, si kompozitori që tronditi tabutë e realizmit socialist dhe i dha frymë të re, moderne dhe universale artit muzikor shqiptar.

Feim Ibrahimi lindi në Gjirokastër, më 20 tetor 1935. Ishte i pari kompozitor me peshë në Shqipëri që studioi vetëm brenda vendit, duke ndjekur, nga viti 1962 deri më 1966, konservatorin e sapokrijuar të Tiranës ku studioi nën drejtimin e artistit të njohur Tish Dajia. Pas përfundimit me rezultate shumë të larta të konservatorit ai dha mësim në degën e kompozicionit, kontrapunkt dhe harmoni në vitet 1966–73.

Ai ka lёnë si rrallëkush vepra të tilla monumentale në fondin e muzikës sonë, tё cilat e radhitën atë prej kohësh midis artistëve më të shquar, jo vetëm shqiptarë. Vepra e Feim Ibrahimit i përfshin të gjitha zhanret, që nga miniaturat instrumentale, muzika e filmit, muzika e dhomës, muzika simfonike, koncertet për instrument solist dhe orkestër e deri tek veprat skenike dhe elektroakustike.

Feim Ibrahimi është kompozitori i parë shqiptar që eksperimentoi muzikën elektroakustike, për të cilën u specializua në “Mozarteum”, nё vitin 1994, në Salzburg.

Në 2 gusht të vitit 1997, u nda nga jeta, në Torino të Italisë.

Vepra e tij është luajtur në Shqipëri, Kosovë, Itali, Francë, Angli, Gjermani, Zvicër e Shtetet e Bashkuara. Për kontributin e dhënë në zhvillimin e kulturës shqiptare, Bashkia Tiranë, në vitin 2000, i akordoi titullin “Mirënjohja e Tiranës”. Për të njëjtin motiv, në vitin 2001 dhe 2008, Bashkitë e Durrësit dhe të Gjirokastrës, i kanë dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

Shkolla e mesme artistike e Gjirokastrës, qytetit të tij të lindjes, prej shumë vitesh mban emrin “Feim Ibrahimi”.

Ai është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe fitues i dy çmimeve të Republikës, çmimi më i lartë për krijimtarinë në vend. /j.p/

1 nga 8

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›