A ka përgjegjësi për Zvërnecin? Hita: Përgjegjësia për menaxhimin e protestës vetëm e Vlorës. U shkelën të gjitha standardet

VLORË
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka folur sot nga Vlora për ngjarjet e fundit, protestën kundër ndërtimit në Zvërnec dhe veprimet e policisë vendore.
I pyetur nga gazetarët nëse vetë ai ka përgjegjësi personale, Hita tha se përgjegjësia është e të gjithëve, por përgjegjësia për menaxhimin e protestës ka qenë vetëm e Drejtorisë së Policisë Vlorë.
Ai tha se është takuar dhe me drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës dhe se hetimet vazhdojnë për çdo person të përfshirë.
“U takova me drejtuesin e Prokurorisë së Vlorës. Për sa i përket kësaj ngjarjeje hetimet po vazhdojnë me prokurorinë, me AMP-në për çdo detaj dhe çdo përgjegjës.
Përgjegjësia për ngjarjen është e të gjithë neve. Është një ngjarje që na turpëron të gjithëve. U shkelën të gjitha standardet që ne duhet të përfaqësonim një polici dinjitoze dhe për këtë është shkarkuar dhe drejtori i Policisë Vlorë. Përgjegjësia për menaxhimin e protestës ka qenë vetëm e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës. Në komunikimin që kemi pasur me drejtorin e Policisë Vlorë ka pasur gjithë mbështetjen e duhur nga Policia e Shtetit, por kjo në asnjë mënyrë nuk i bën më pak fajtorë për mos mbarëvajtjen e kësaj proteste. Personat e proceduar penalisht janë tre. Hetimi po vazhdon. Janë proceduar dhe disa protestues që kanë vepruar jo në përputhje me ligjin”, tha Hita.