A na duhet një port tjetër?
DEKLARIMI I KRYEMINISTRIT
Projekti për ndërtimin e Portit të Vlorës për përpunimin e kontejnerëve, deklaruar në 4 shtator nga Kryeministri, është më së paku një projekt pa llogari.
Është e vërtetë që faktorët ekonomikë,kohëzgjatja e përpunimit të mallrave, ulja e kostos në përpunim për njësi malli, modernizimi i teknikave të transportit gjatë përpunimit, shkurtimi i kohës së punës, pavarësia e përpunimit nga kushtet klimaterike, zvogëlimi i bonifikimeve dhe trajtimi i mallrave, etj., të gjitha këto kanë diktuar nevojën e përdorimit të teknologjisë moderne të transportit, asaj që quhet transporti i kontejnerëve. Madje ky lloj transporti ka vite që ka filluar në vendin tonë. Në Durrës është ndërtuar sheshi i kontejnerëve. Me investimet që janë bërë në këtë port, si rikonstruksione kalatash, dallgëthyesish, zgjerim kapacitetesh infrastrukture dhe superstrukture etj., ky port përballon jo vetëm volumet e punës të eksport-importit shqiptar por edhe atë të vendeve fqinje Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi.
A na duhet porti tjetër? Përgjigjen po e nis me një kthim pas në kohë 25 vjet, më parë. Qeveria e atëhershme punoi për vite me radhë për ndërtimin e një porti të ri në Vlorë, me kapacitet përpunues aq sa dhe ai i Portit të Durrësit. Atje, në ato vite, janë hedhur (në det) miliona M3 gurë. (Projekti u ndërpre pas viteve 1990 dhe parashikonte që Porti aktual i Vlorës të kthehesh në port jahtesh turistikë dhe porti i ri që do të ndërtohej, do të shërbente për përpunimin e mallrave).
Pozicioni gjeografik që kishte ky port ishte shumë i përshtatshëm. Për më tepër, nëse do të vendosej për një port në Vlorë, ky i lënë përgjysmë, është më i përshtatshmi, sepse nuk kërkon fonde të mëdha. Thjesht, do të përfundohet projekti i lënë në gjysmë. Pra, pyetja e parë: Pse nuk shfrytëzohen punimet ekzistuese atje që janë shpenzuar miliona dollarë?
E dyta, si mund të deklarohet një shifër nga Kryeministri, pa patur Master-Plan, projekt, studim fizibiliteti, pa përcaktuar me preventiv shumën se sa do të investohet? Nga doli shuma 1,2 miliardë dollarë që citoi Kryeministri? Çfarë fshihet brenda këtij projekti? E treta: Përse ky port vetëm për përpunimin e kontejnerëve dhe jo e specializuar dhe për mallra të tjera?
Kurse nga pikëpamja gjeografike, po flasim në kushtet kur rreth nesh ekzistojnë Pireu, Selaniku, Triestja, Bari e Brindisi. Nga Lindja e Largët, të gjithë mallrat tranzitohen në Pire-Selanik-Trieste. Edhe sikur ta merrnim të mirëqenë projektin dhe deklaratën e z.Kryeministër, prapëseprapë ai po flet për një port më të vogël se këta ekzistuesit. Atëherë, ku do ta gjejmë atë trafik mallrash që duhet për të qenë eficient ky projekt? Si ka mundësi të hedhim shashka të tilla në publik pa u menduar fare?
Kuptohet, rezultantja e kësaj shashke të re pas centraleve atomike, është mungesa e përgjegjësisë, transparencës dhe deformimi i reformave në ekonomi. Në emër të koncesioneve e reformave ekonomike, qeveria e sotme po vijon traditën e qeverive të mëparshme: transferim i pasurisë kombëtare të krijuar me djersë, nga shqiptarët, te anonimatët.
*Autori është ish zv.ministër i Transporteve