KKRT, Pallati i Ëndrrave
Kur u transmetua për herë të parë spoti i “G99”, disa njerëz në KKRT u ndjenë krejt si nëpunësit e Pallatit të Endrrave. Ashtu si Mark-Alemit në librin e Kadaresë i është kujtuar dita e parë e punës kur dikush i shpjegonte për punën e institucionit. “Është detyra jonë të qëmtojmë se ku bie ky kumt… sepse një ëndërr e tillë mund të parandalojë fatkeqësinë e shtetit e të sovranit”.
Si Mark-Alemi qëmoti, nëpunësi ka tundur kokën e ka thënë me vete: “Ja kjo ishte vërtet një ëndërr që ia vlente barra qiranë të merreshe me të. U zbulua një nga ato synime të fshehta për të rrëzuar “padishahun tonë Sovran...”.
Vazhdimi është i qartë. KKRT-Tabir Saraj vendosi menjëherë që spoti të ndërpritet pasi qëllimet e tij ishin qartësisht një rrezik për Padishahun Sovran. E sigurisht që ishte detyra solemne e nëpunësve të pallatit, të garantonin sigurinë e tij. Paralelizmi është aq therës, saqë është e vështirë të ndash virtualen nga realiteti.
Është e zorshme të ndash Shqipërinë e vitit 2008 nga ajo e Kadaresë në Pallatin e Ëndrrave. Në ç’dreq vendi jetojmë? Ç’ngjau me demokracinë liberale, lirinë e mediave mbi të gjitha, sundimin e ligjit?
Problemi nuk qëndron me nëpunësin, sigurisht. Gjithë zallamahinë e ka krijuar vetë “Padishahu”. Në spotin e tij të stërgjatë (e më duhet ta them, të prodhuar keq edhe nga pikëvështrimi i marketingut, pasi nuk ndjek dot njeri një spot prej 6 minutash), ai i fton njerëzit të denoncojnë korrupsionin tek numri i tij i telefonit. Më pas e di ai se ç’bën me të korruptuarit. Në këtë mënyrë askush nuk ka pse shqetësohet më për burokracinë e institucioneve inefektive.
Kryetarja e KKRT-së deklaroi pak ditë më parë dhe përsëriti të dielën në një intervistë në “Shekulli”, se kur kishte urdhëruar ndalimin e spotit të “G99”, kishte vepruar në mënyrë të pavarur dhe e pa urdhëruar nga askush. Edhe nëse kjo është e vërtetë, është tregues i shpërhapjes së frymës së “Padishahut” në institucionet tona.
Ashtu siç ai anashkalon çdo institucion e merr përsipër të gjykojë se kush është i korruptuar e kush jo, ashtu dhe KKRT merr përsipër të gjykojë se ç’është politike e se çfarë nuk është.
Duke qenë në zotërim të së vërtetës absolute, KKRT nuk e pa të arsyeshme në asnjë moment që të kontaktonte zyrtarisht më “G99” si palë e interesuar. Nuk ishte e nevojshme për drejtuesen e KKRT që të informohej mbi statusin ligjor të “G99” pasi, siç dhe është shprehur “e dimë shumë mirë ne se ç’janë ata”. Apo të paktën të lajmëronte dhe “G99” si porositëse të spotit për ndalimin e tij, detyrim ky administrativ i institucionit.
KKRT, ka tagër vetëm rregullimin e mbikëqyrjen e radio-televizioneve në vend e nuk ka absolutisht asnjë lidhje me të drejtën e qytetarëve për t’u organizuar, dhe format e këtij organizimi. Të deklarosh që “ne e dimë se çfarë janë ata” është treguesi se fryma ekstra institucionale e Kryeministrit është ndarë tashmë në gjithë entitetet e shtetit. Deklaratat e vazhdueshme mbi zbatimin e ligjit, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse e bjerrin dhe më thellë besimin tek Ligji.
Tentativat për të kontrolluar institucionet nga kjo maxhorancë filluan të duken sapo ajo mori pushtetin. Tani që gjërat po shkojnë si mos më keq “Padishahu Sovran” po përdor në mënyrë sistematikë të gjitha pushtet e vjedhura e të akumuluara pak e nga pak, për të ruajtur kontrollin mbi vetë pushtetin.
Ky është manifestimi më i keq i transformimit të korrupsionit financiar në korrupsion politik, ku pushteti i marrë nga qytetarët përdoret jo vetëm për interesa personale, por dhe si një mjet për të kontrolluar lirinë e shprehjes, e për rrjedhojë demokracinë.
Sundimi i ligjit tashmë është dërrmuar, tani ka vetëm sundim të Padishahut.
*Autori është një nga drejtuesit e “G99”