AKEP: Interneti celular në rritje, SMS dhe telefonia fikse në rënie

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri vijon të orientohet gjithnjë e më shumë drejt përdorimit të internetit, veçanërisht atij celular, ndërsa shërbimet tradicionale si SMS dhe telefonia fikse po shënojnë rënie.
Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për tremujorin e tretë të vitit 2025 tregojnë rritje të ndjeshme të trafikut të të dhënave dhe ndryshim të sjelljes së konsumatorëve.
Sipas raportit, rreth 2,4 milionë njerëz përdorin internetin në celular, ndërsa 2,72 milionë përdorin shërbimet e telefonisë celulare, dhe të dyja shifrat kanë shënuar rritje krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në të njëjtën kohë, numri i kartave SIM aktive ka arritur në 3,4 milionë, duke reflektuar një stabilizim të tregut dhe reduktim të përdorimit të shumëfishtë të kartave nga i njëjti përdorues.
Rritja më e fortë vërehet në përdorimin e internetit celular.
Gjatë tremujorit të tretë janë konsumuar 73 milionë gigabajt të dhëna, një rritje e ndjeshme krahasuar si me tremujorin e dytë të këtij viti, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konsumi mesatar mujor për përdorues ka arritur në mbi 10 gigabajt, duke konfirmuar zgjerimin e përdorimit të shërbimeve online, rrjeteve sociale dhe platformave të komunikimit përmes internetit.
Në të kundërt, shërbimet tradicionale po humbasin terren. Minutat e thirrjeve dalëse kanë mbetur në nivele të qëndrueshme, ndërsa numri i mesazheve SMS të dërguara ka shënuar rënie, duke reflektuar zhvendosjen e komunikimit drejt aplikacioneve digjitale. Edhe struktura e tregut mbetet relativisht e pandryshuar, me rreth 60% të thirrjeve që kryhen brenda të njëjtit rrjet dhe 40% drejt rrjeteve të tjera.
Referuar raportit të AKEP-it, përdoruesit po orientohen gjithnjë e më shumë drejt paketave vetëm me internet, duke lënë pas shërbimet e kombinuara me televizion dhe telefon. /j.p/