E Diel, 1 Nëntor 2026

AZhBR: Nuk janë kryer pagesa për kontrata të kontestuara

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZhBR) bëri të ditur sot se nuk ka kryer asnjë pagesë ndaj individëve të dyshuar për veprimtari kriminale.

Reagimi i AZhBR-së i referohet lajmit të publikuat në medie se në shkurt 2025, Xhevdet Troplini, përfitoi një grant bujqësor prej 22 milionë lekësh nga AZhBR për fermën e tij në Xhafzotaj.

Sipas njoftimit zyrtar të AZhBR-së, çdo kontratë dhe grant i administruar nga agjencia bëhet në përputhje të plotë me kriteret dhe procedurat e parashikuara në udhëzimin e shtatorit të vitit 2024, “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.

AZhBR informoi se subjekti në fjalë është kontraktuar në përputhje të plotë me kriteret dhe procedurat e parashikuara në këtë akt për programet e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Por, theksoi AZhBR, subjekti i kontraktuar është refuzuar në fazën e pagesës, pasi nuk ka përmbushur kushtet e kontratës së grantit.

“Megjithatë, në fazën e pagesës, subjekti i kontraktuar në fjalë, është refuzuar pasi nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara në kontratën e grantit”, bën të ditur AZhBR-ja.

AZhBR i garanton fermerët dhe qytetarët se çdo proces zhvillohet me transparencë, përgjegjësi dhe sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar të gjitha detyrimet ligjore. Agjencia mbetet e hapur për çdo sqarim të mëtejshëm.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›