AKPA: Mbi 13 mijë gra të punësuara gjatë vitit 2025

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) vijon të mbështesë fuqizimin ekonomik të vajzave dhe grave përmes programeve të punësimit dhe formimit profesional, duke krijuar mundësi të reja për integrimin e tyre në tregun e punës.
Sipas të dhënave të AKPA-s, gjatë vitit 2025 janë punësuar 13 308 vajza dhe gra, të regjistruara pranë zyrave të punës në të gjithë vendin.
Po ashtu, 7296 vajza dhe gra kanë ndjekur kurse dhe programe trajnimi profesional, me qëllim përmirësimin e aftësive dhe përshtatjen me kërkesat e tregut të punës.
Ndërkohë, përmes programeve të nxitjes së punësimit me subvencion, janë punësuar 2 825 vajza dhe gra, duke përfituar nga mbështetja financiare dhe lehtësitë që shteti ofron për bizneset që zgjedhin të punësojnë gra.
Përmes programit të vetëpunësimit, 177 vajza dhe gra kanë krijuar bizneset e tyre, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e mundësive të reja të punësimit.
AKPA thekson se do të vijojë mbështetjen për vajzat dhe gratë përmes programeve të aftësimit profesional dhe politikave aktive të punësimit, me synimin për të rritur pjesëmarrjen. /j.p/
1 nga 4