FOKUS – Përshkallëzohet konflikti në LM, raketa iraniane interceptohen nga disa vende të rajonit

DUBAI, 9 mars /ATSH/- Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari kanë njoftuar se kanë interceptuar raketa iraniane, ndërsa Izraeli thotë se ka zbuluar sulme të reja kundër territorit të tij, sipas BBC.
Turqia tha se një raketë balistike e lëshuar nga Irani fqinj u neutralizua nga sistemet mbrojtëse të aleancës sapo hyri në hapësirën ajrore turke.
Sipas autoriteteve turke, kjo është raketa e dytë e interceptuar mbi Turqi brenda më pak se një jave, pasi sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt ndezën një konflikt më të gjerë rajonal.
Në një deklaratë në platformën X, Ministria turke e Mbrojtjes bëri të ditur se raketa u interceptua nga sistemet e NATO-s të vendosura në Mesdheun lindor. “Disa mbetje të municionit ranë në një zonë të pabanuar në Gaziantep. Nuk ka viktima apo të plagosur”, thuhet në deklaratë.
Ministria shtoi se “të gjitha masat e nevojshme do të merren ndaj çdo kërcënimi që synon territorin dhe hapësirën ajrore të vendit tonë”, duke paralajmëruar gjithashtu se është “në interesin e të gjithëve të merren parasysh paralajmërimet e Turqisë për këtë çështje”.
Një zëdhënëse e NATO-s deklaroi sot se aleanca kishte interceptuar sërish një raketë që po drejtohej drejt Turqisë. “NATO qëndron e vendosur në gatishmërinë e saj për të mbrojtur të gjithë aleatët ndaj çdo kërcënimi”, tha ajo.
Incidenti ndodhi më pak se 48 orë pasi Turqia paralajmëroi Iranin të mos lëshojë më raketa drejt territorit të saj. Zyra e presidentit Recep Tayyip Erdoğan lëshoi të hënën një paralajmërim të fortë kundër çdo lëshimi të mëtejshëm të tillë.
Javën e kaluar, NATO rriti nivelin e alarmit dhe gatishmërisë së sistemeve të saj të mbrojtjes nga raketat balistike pas një incidenti tjetër me raketë iraniane më 4 mars. Ende nuk është e qartë se cili ishte objektivi i asaj rakete.
Situata në rajon mbetet shumë e tensionuar, me përshkallëzim të sulmeve mes Iranit dhe koalicionit të udhëhequr nga SHBA dhe Izraeli.
Ndërkohë, sekreterja britanike e Financave, Rachel Reeves, paralajmëroi se lufta në Lindjen e Mesme pritet të ushtrojë presion për rritjen e inflacionit në muajt e ardhshëm. Ajo e bëri këtë deklaratë pas një takimi emergjent të ministrave të financave të vendeve të G7.
Tensionet kanë ndikuar edhe në tregjet e energjisë. Çmimi i naftës ka kaluar mbi 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022, duke shtuar shqetësimet për ndikimin ekonomik global.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se një dron që goditi javën e kaluar bazën ushtarake britanike në Qipro është lëshuar nga Libani ose Iraku. Ndërkohë, Britania ka vendosur avionë luftarakë dhe sisteme kundër dronëve në rajon dhe ka rrëzuar dy dronë mbi Jordaninë dhe Bahreinin.
Izraeli njoftoi se ka kryer sulme në disa zona të Iranit dhe në Liban, duke synuar infrastrukturë ushtarake dhe baza të dronëve të Gardës Revolucionare iraniane.
Situata u përshkallëzua edhe më tej pasi Irani emëroi Mojtaba Khamenein, djalin e liderit suprem të vrarë Ali Khamenei, si udhëheqësin e ri suprem të vendit. Emërimi i tij ka shkaktuar reagime të ndryshme brenda dhe jashtë Iranit. /Ad.Ab./