“AKSH-i”, Berisha: Familja e Ramës ka grabitur qindra milionë euro përmes baxhanak, Armand Frangu

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një mbledhje me kolegjin e kryetarëve, ku ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur qeverisjen e tij me korrupsionin dhe keqmenaxhimin e ekonomisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi deklaratat e kryeministrit për rritjen ekonomike, duke pretenduar se treguesit makroekonomikë nuk reflektojnë gjendjen reale të qytetarëve, të cilët sipas tij po përballen me varfëri të thelluar.
Ai ngriti akuza edhe ndaj familjarëve të kryeministrit, duke përmendur bashkëshorten e tij Linda Rama dhe baxhanakun Armand Frangu, duke pretenduar se fonde të mëdha publike përfundojnë në duart e tyre përmes tenderëve.
“E njëjta gjë AKSH-i. Mirlinda e tij e gjorë që jeton me katër vila, po jeton në një apartament me qira, nuk është gjë tjetër, vetëm prestanomi i gjysmës së tij më të mirë, Lindës së Surrelit. Mbasi në AKSH, në këtë agjenci publike, familja e tij ka grabitur qindra e qindra milionë euro, nëpërmjet famozit baxhanak, Armand Frangu. Të dy këto dosje, siç jeni në dijeni, janë tashmë dosje ndërkombëtare, janë të depozituara në të gjitha kancelaritë e mëdha të Evropës dhe të botës. Për të shpëtuar lëkurën e tij, dhe miq, duhet ta kemi të qartë, shqiptarët duhet ta dinë, se diktatorët dhe narkodiktatorët për të shpëtuar lëkurën, janë të aftë të ndërmarrin çdo vendim. Nuk njohin asnjë interes tjetër përveç interesit të vet. Kështu që, pavarësisht nga paralajmërimet e hapura ndërkombëtare që mori dhe të përsëritura, që mori, ai përdori 83 mandatet e krimit për të, për t’i mbyllur dyert institucionit të akuzës për qeveritarët dhe afër tij dhe familjarët e tij”, tha ndër të tjera Berisha.
LEXO EDHE: Berisha mbledh Kolegjin e Kryetarëve: Regjimi po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm