AKU bllokon rreth 4 ton produkte bimore, subjekti gjobitet me 200.000 lekë

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar rreth 4 ton produkte të paetiketuara në një subjekt në Shkozë.
AKU njofton se pas një denoncimi të ardhur, inspektorët kanë kryer kontroll në subjektin “Merja”, me adresë në lagjen Shkozë, Tiranë.
Gjatë inspektimit në ambientet e magazinës, u konstatuan 3.984 kg produkte të miksuara (miksime bimësh të thata), të ambalazhuara në thasë plastikë, por të paetiketuara dhe pa informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën apo emërtimin e përbërjes.
Për këto shkelje, trupa inspektuese mori masën e menjëhershme të bllokimit të sasisë në magazinë.
Subjekti “Merja” u gjobit me 200.000 lekë për veprime në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë.
Gjithashtu, nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se mungonte sistemi i vetkontrollit (skedat e monitorimit gjatë procesit të miksimit), për të cilin u vendos një gjobë shtesë prej 100.000 lekësh.
AKU thekson se mbetet i angazhuar për të ndaluar çdo praktikë që cenon sigurinë e produkteve ushqimore dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo parregullsi në e-mailin zyrtar info@aku.gov.al ose në numrin e gjelbër 0800 75 75.
1 nga 4/gj.m/ /a.g/