AKU dhe KEK tryezë teknike me prodhuesit e bukës dhe importuesit e miellit për sigurinë ushqimore

TIRANË, 26 shkurt /ATSH/ Me ftesë të Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Kombëtar (KEK) dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, u zhvillua në “Shtëpinë e Biznesit” një tryezë teknike me prodhuesit e bukës, brumërave dhe importuesit e miellit, me qëllim garantimin e sigurisë dhe cilësisë ushqimore në vend.
Takimi u fokusua mbi format e reja të inspektimit, certifikimet dhe sfidat e integrimit në tregun e përbashkët, duke shërbyer si një platformë profesionale për harmonizimin e praktikave të punës me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë diskutimeve mbi zbatimin e ligjshmërisë, drejtoresha e përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti e vuri theksin te roli i institucionit si filtër garancie përmes forcimit të kapaciteteve në Pikat e Inspektimit Kufitar.
Ajo theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me biznesin është rruga kryesore për të siguruar produkte ushqimore gjithnjë e më të sigurta për konsumatorët shqiptarë.
“Tryeza teknike synon konsolidimin e dialogut mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat dhe synon përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të sigurisë ushqimore në Shqipëri”, u shpreh Gjylameti.
/e.xh/r.e/