AKU gjobit 7 subjekte në tregun agroushqimor të Tiranës për shkelje të sigurisë ushqimore

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) kreu inspektime në tregun agroushqimor në Tiranë, pas një denoncimi për tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.
Gjatë këtyre kontrolleve, janë verifikuar pesë subjekte tregtare që shisnin produkte me origjinë shtazore, ku u konstatuan shkelje të rënda në lidhje me sigurinë ushqimore.
Në total, janë bllokuar 197,5 kg djathë kaçkavall dhe fruta të thata të cilat nuk përmbushnin standardet e sigurisë ushqimore.
Po ashtu, janë gjetur gjithsej mbi dy tonë produkte që nuk dispononin etiketa, si sallam dhe fruta të thata.
Sipas AKU-së, këto shkelje kanë të bëjnë me tregtimin e produkteve pa siguri për konsumatorët, mungesën e gjurmueshmërisë dhe mosrespektimin e normave për etiketimin e produkteve.
Për këto shkelje, AKU ka vendosur 7 masa administrative me gjobë në vlerën totale prej 1,6 milionë lekësh, duke synuar garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi se do të vijojë kontrollin e tregjeve dhe subjekteve të tjera, për të siguruar që produktet ushqimore të jenë të sigurta dhe në përputhje me standardet e kërkuara ligjore.
/j.p/r.e/