E Hënë, 2 Nëntor 2026

AKU në proces vlerësimi, vijojnë testimet për aplikantët që synojnë të bëhen pjesë e Autoritetit

Gjatë gjithë javës në Universitetin Bujqësor të Tiranës po vijon procesi i intervistimit të të gjithë punonjësve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Kryetari i komisionit të vlerësimit, Ilir Kristo, u shpreh se procesi ka ecur i qetë dhe se të gjitha drejtoritë rajonale do t’i nënshtrohen testimeve.

“Jemi caktuar pesë anëtarë të komisionit për këtë proces. Kemi bërë një ndarje për çdo ditë, edhe me orare: nga ora 8:30 deri në 11:30–12:00, njëri tur, pastaj një tur të dytë zakonisht me ata që vijnë nga rrethet. Kjo është procedura e përgjithshme dhe shpresojmë që brenda kësaj jave ta mbyllim të gjithë këtë proces dhe t’i nënshtrohemi procesit të përpunimit të rezultateve,” tha z. Kristo.

Nga ana tjetër, punonjësit e shohin procesin si një sfidë për të ardhmen e sigurisë ushqimore, por edhe si një hallkë të rëndësishme të Kapitullit 12, i cili përbën një nga kriteret kryesore të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ishte një tezë e mbështetur në gjithë kuadrin ligjor, në fusha sipas profileve, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ushtron veprimtarinë e tij. Ishte testim i hartuar në një format të kënaqshëm, shumë komod dhe pa shkaktuar stres a emocion,” tha punonjësja e AKU-së.

Pas përfundimit të tri fazave të testimit, të gjithë punonjësit e AKU-së do të marrin së shpejti edhe vlerësimin final, i cili është përgatitur në bazë të rezultateve të secilës fazë.

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›