AMA dhe OSBE bashkëpunim për forcimin e sektorit audioviziv

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi priti sot në një takim kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Michel Tarran.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet AMA-së dhe OSBE-së, në këtë takim u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në sektorin audioviziv.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua progresit të arritur në forcimin e transparencës së pronësisë së medias, ndryshimet e fundit ligjore dhe hapat e mëtejshëm për konsolidimin e një kuadri rregullator modern dhe në përputhje me standardet europiane.
Ambasadori Tarran vlerësoi punën e kryer deri tani, miratimin në Kuvend të amendimeve të ligjit “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, si një hap tjetër i hedhur që forcon transparencën, rrit llogaridhënien dhe kontribuon në forcimin e pluralizmit dhe integritetit të sektorit mediatik audioviziv
Gjatë bisedës u theksua gjithashtu rëndësia e krijimit dhe funksionalizimit të regjistrit të pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatike audiovizive, si një instrument kyç për garantimin e transparencës dhe besueshmërisë së sektorit.
Në takim u diskutua edhe mbi rolin e AMA-së në promovimin e Edukimit Mediatik dhe zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese në nivel kombëtar, për forcimin e mendimit kritik dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, nga përmbajtjet e dëmshme.
Vizita në disa nga drejtoritë dhe me stafin e AMA-së theksoi forcimin e kapaciteteve të institucionit për monitorimin e mediave, përfshirë monitorimin gjatë periudhave zgjedhore, si dhe mbështetja e mëtejshme teknike dhe institucionale në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, me qëllim garantimin e standardeve më të larta të profesionalizmit dhe efektivitetit në këtë proces.
“OSBE ka qenë gjithmonë një partner i rëndësishëm dhe mbështetës në proceset tona të punës, për përafrimin me standardet europiane, në funksion të forcimit të lirisë së medias dhe zhvillimit të një mjedisi mediatik të pavarur, transparent dhe pluralist në Shqipëri”, tha Krasniqi.
1 nga 7/a.f/r.e/