AMA diskuton tek “Antikorrupsioni” draftin për financimin e partive politike

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi mori pjesë sot në takimin konsultues, të thirrur nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, mbi ndryshimet në kuadrin ligjor për financimin e partive politike.
Drejtuesja e AMA-s, u shpreh se në këtë takim u diskutua, ndikimi i palëve të treta në fushatat zgjedhore, përfshirë reklamat digjitale dhe lobimin, mungesa e një regjimi efektiv për monitorimin e financimit nga palë të treta dhe për fushata online, si dhe çështje të tjera të parashtruara në analizën mbi rregullimin e financimit të partive politike në Shqipëri, hartuar nga ky Komision.
Sipas Krasniqit, që prej vitit 2021, AMA është angazhuar me monitorimin e mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të.
“Të dhënat që mblidhen nga ky monitorim, i cili kryhet bazuar në Metodologjinë e hartuar dhe miratuar nga KQZ, i raportohen Komisionit të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.
Gjatë tryezës së konsultimit të draftit paraprak të projektligjit “Për financimin e partive politike”, palët u shprehën se financimi i partive politike mbetet një çështje tejet e rëndësishme pasi lidhet me shtyllën antikorrupsion dhe është përcaktuar si prioritet në Planin e Veprimit që ka Shqipëria në kuadrin e procesit të negociatave.
AMA në takimin konsultues me Komisionin e Posaçëm Parlamentar 1 nga 6/e.i//r.e/