AMA marrëveshje me Inspektoratin Shtetëror të Punës, Krasniqi: Zbatim i ligjit mbi kushtet e punës dhe mbrojtjen e gazetarëve

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi.
Ky memorandum, i nënshkruar nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi dhe kreu i Inspektoratit, Eljo Muçaj ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve.
Konkretisht ky bashkëpunim synon marrjen e masave, me qëllim rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit në sektorin e mediave audiovizive në funksion të zbatimit të dispozitave ligjore që lidhen me kushtet e punës, mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, pagat, sigurimet dhe mirëqenien në punë.
Kryetarja e AMA-s, Krasniqi theksoi se “në këtë bashkëpunim kemi përfshirë organizimin e aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese të përbashkëta, edhe me pjesëmarrjen e aktorëve të tjerë të interesuar, me fokus rolin dhe detyrimet e secilit institucion në sektorin e mediave audiovizive, si dhe të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni i punës”.
Gjithashtu, tha Krasniqi, është përfshirë hartimi, miratimi dhe shpërndarja e materialeve informuese si dhe shkëmbimi në mënyrë efikase i informacioneve të nevojshme të sektorit për të identifikuar llojet e mediave, strukturat, rolet dhe përgjegjësitë përkatëse.
Krasniqi bëri të ditur se “u angazhuam për fuqizimin e bashkëpunimit në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor dhe rregullator institucional, me qëllim rritjen e efektivitetit në zbatimin e dispozitave të legjislacionit të punës në sektorin e mediave audiovizive”.
“Pa u kufizuar, bashkëpunimi në këtë drejtim përfshin edhe organizimin e takimeve periodike me sindikatat, përfaqësuesit e punëmarrësve dhe punëdhënësve, me qëllim vlerësimin dhe propozimin e nevojës për ndryshime në kuadrin ligjor dhe rregullator, që synojnë forcimin e zbatueshmërisë së të drejtave të punës dhe përmirësimin e kushteve të punës në këtë sektor”, tha Krasniqi.
1 nga 10/k.s/