E Diel, 1 Nëntor 2026

AMP ekzekuton masa sigurimi ndaj tre zyrtarëve të dyshuar për shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj tre shtetasve të dyshuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, veprimet janë kryer në kuadër të procedimit penal nr. 238 të vitit 2026, të drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në zbatim të vendimit të gjykatës, AMP ekzekutoi masën e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” ndaj Glodian Ahmetajt, i cili në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar ushtronte detyrën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë.

Ndërkohë, ndaj Devis Agos, ish-shef sektori në të njëjtën drejtori rajonale, është vendosur masa “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.

Po ashtu, ndaj Klevis Hoxhës, shef i Policisë Bashkiake në Bashkinë Devoll, gjykata ka caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

AMP bën të ditur se gjatë operacionit janë ushtruar edhe tre kontrolle banesash të autorizuara nga autoritetet proceduese, me qëllim administrimin e provave dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Sipas AMP, operacioni është pjesë e angazhimit për hetimin e rasteve ku dyshohet për përfshirje të funksionarëve publikë në veprimtari të kundërligjshme dhe për forcimin e integritetit në institucionet ligjzbatuese.

AMP theksoi se do të vijojë të hetojë çdo indicie për shkelje të ligjit në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e shtetit të së drejtës.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›