Kombëtarja e vajzave njihet me skuadrat kundërshtare në “Brazil 2027”

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit për vajza njohu sot kundërshtaret në raundin e parë dhe të dytë të fazës play-off të Kampionatit Botëror “Brazil 2027”. Pas shortit të hedhur në selinë e UEFA-s, vajzat kuqezi do të përballen me Uellsin në raundin e parë dhe në rast kalimi, do të përballen me fituesen e çiftit Rumani – Norvegji, në raundin e dytë.
Trajneri i Kombëtares Armir Grima, në lidhje me kundërshtaren e raundit të parë, Uellsin, tha se është një kundërshtar që përfaqësuesja shqiptare e njeh tashmë. “Ndeshjen që kemi bërë në Elbasan e kemi bërë mjaft dinjitoze. Do të luajmë shanset tona, do të bëjmë përpjekjet tona për ta kaluar dhe ndoshta do të kemi edhe pak fat për ta kaluar këtë kundërshtare”, tha Grima.
Trajneri i kombëtares pranoi që të gjithë kundërshtarët janë shumë të fortë, por vajzat do të hyjnë në fushë për të bërë më të mirën.
Grima tha se si Norvegjia ashtu edhe Rumani janë skuadra te forta me të cilat përfaqësuesja jonë ka luajtur, por fillimisht vëmendja është tek Uellsi.
“Unë jam shumë i kënaqur me vajzat, jam i lumtur që i kanë arritur këto rezultate. E meritojnë, kanë dhënë shumë. Por kemi prapë për të dhënë dhe duhet të bëjmë një sforco për të treguar se kombëtarja jonë ka rritje dhe cilësi”, është shprehur trajneri i kombëtares së futbollit për vajza.
/a.f/