E Hënë, 2 Nëntor 2026

AMP ekzekuton masat e sigurisë për tre punonjës policie në Elbasan

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, ekzekutoi masat e sigurisë, “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndaj 3️ punonjësve të policisë, të dyshuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit”, e kryer në bashkëpunim, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Konkretisht sipas AMP-së, bëhet fjalë për “inspektor H. D., me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Trupë Shërbimi i Ruajtjes e Sigurisë së Objektit, në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë Gjadër, pranë DVP-Lezhë.

“Inspektor G. D., me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës.

“Inspektor E. SH., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban pranë DVP-Elbasan”.

AMP njoftoi se ekzekutimi i masave të sigurisë u bë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale, ka rezultuar se punonjësit e policisë në bashkëpunim me shtetasin F. D., (i arrestuar me datë 23.03.2025), kanë vënë në dispozicion ambientet bar-kafe në pronësi të tyre me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.

Ndërsa sipas AMP-së “punonjësi i policisë E. SH., duke vepruar në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›