E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gogu: Shteti ligjor nuk mbarset me thashethemet e qytetarëve digjitalë

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi sot në Kuvend se mazhoranca institucionet nuk i bën për persona të veçantë, por për qytetarin.

Në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet për raportin e SPAK, Gogu tha se “është shumë trishtuese kur shikon një opozitë të tërë, e cila nuk po bën asnjë gjë tjetër vetëm do që ta kthejë timonin pas”.

“Por nuk ka për të ndodhur, ishte e qartë fare, SPAK ua shfryu gjithë tollumbacen e kapjes me shifra. Pse, sepse shteti ligjor nuk mbarset me thashethemet e qytetarëve digjitalë. Shteti ligjor ndërtohet mbi prova, nëse ke provën çoje në Prokurori dhe pasi e ke çuar në Prokurori prit që Prokuroria e Gjykata të vendosin për atë çështje. Nuk vendos gjyqi popullor që ka vendosur për 50 vite me radhë dhe që ka bërë që ne sot të vazhdojmë me atë kulturë të tmerrshme institucionale”, nënvizoi Gogu.

Ai tha se që vetëm krimit të organizuar i janë sekuestruar miliona euro.

“Me Prokurorin e Përgjithshëm ishte edhe më e bukur. Prokurori i Përgjithshëm drejton dhe kjo shumicë ka vendosur që ai të drejtojë përmes udhëzimeve që nxjerr. Për këtë gjë raportoi Prokurori i Përgjithshëm. Këtu e gjithë çështja është se si deputetë të caktuar, do bëhen prokurorë, do marrin rolin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe do ndjekin çështje të caktuara kryesisht të kundërshtarëve të tyre politikë. Gjë që ka ndodhur kohë më parë, por që kjo shoqëri që është ndarë njëherë e mirë sepse është ndarë kultura europiane, e cila po zbatohet përditë në një shoqëri si e jona”, theksoi Gogu.

Gogu u shpreh se “në çdo vend europian ku ne duam të aderojmë vendimet se si funksionon gjyqësori i merr vetë gjyqësori, kontrollin e bën vetë gjykata, vendimet se si prokurorët apo gjyqtarët sillen në momentin kur inspekton Inspektori i Lartë i Drejtësisë i marrin organet e qeverisjes së gjyqësorit, këtë ka bërë kjo shumicë sot po ndërton institucione të cilat mund të rrinë në këmbë për një kohë të gjatë dhe s’do kthehen tek telefoni”.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Gogu tha se “ju jeni shpallur të padëshirueshëm për ndërhyrje tek gjyqësori nga vendet euroatlantike. Mjaft më me fletërrufe personale ndaj personave të caktuar, duart tona janë larg dosjeve personale”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›