E Hënë, 2 Nëntor 2026

AMSTERDAM – Holanda e para në financimin e armëve për Ukrainën përmes NATO-s

AMSTERDAM, 4 gusht /ATSH/ – Holanda do të jetë kontribuesi i parë në mekanizmin e ri të financimit të NATO-s për armatimin e Ukrainës, të quajtur “Lista e kërkesave prioritare të Ukrainës” (PURL), me një pagesë prej 500 milionë eurosh (rreth 578 milionë dollarë), njoftoi sot ministria holandeze e Mbrojtjes, sipas Reuters.

Ukraina ka nevojë për më shumë mbrojtje ajrore dhe municione tani. Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do të dërgojë një paketë armësh amerikane me vlerë 500 milionë euro (përfshirë pjesë dhe raketa të sistemit Patriot), deklaroi ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, në një postim në X.

“Kjo ndihmon Ukrainën të mbrohet vetë dhe pjesën tjetër të Evropës nga agresioni rus”, shtoi ai.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Holandës, thuhet se edhe shtete të tjera kanë premtuar financime sipas këtij mekanizmi të ri.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi muajin e kaluar se SHBA-ja do të furnizojë me armë Ukrainën, por këto do të paguhen nga aleatët evropianë. Megjithatë, ai nuk dha detaje se si do të funksionojë kjo skemë.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›