ANALIZË – Nëse Trump braktis Ukrainën, a mund ta ndihmojë Evropa Kievin të vazhdojë luftën?

LONDËR, 29 prill /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump po e nxit Ukrainën të bëjë lëshime territoriale për t’i dhënë fund luftës, duke kërcënuar se do të tërhiqet nëse marrëveshje bëhet shumë e vështirë – dhe duke shkaktuar kambana alarmi në Evropë, sipas AP.
Aleatët evropianë të Ukrainës e shohin luftën si themelore për sigurinë e kontinentit – duke rritur presionin për të gjetur mënyra për të mbështetur ushtarakisht Kievin – edhe sikur Trump të tërhiqet.
Trump e ka sulmuar vazhdimisht presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar atë për zgjatjen e luftës – duke kundërshtuar kërkesën e tij për t’i dorëzuar Rusisë Krimenë e pushtuar.
Plani i Trump do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm në rendin pas Luftës së Dytë Botërore, duke shpërfillur konventat – sipas të cilave kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë.
“U desh një Luftë Botërore për të anuluar aneksimet de jure dhe 60 milionë njerëz vdiqën”, tha François Heisbourg, këshilltar special në Fondacionin për Kërkime Strategjike në Paris, duke iu referuar aneksimit të Austrisë para luftës nga Gjermania naziste.
“Evropianët nuk do ta pranojnë dhe as Ukraina nuk do ta bëjë”, tha ai.
A mund të luftojë Ukraina pa mbështetjen e SHBA-së?
Diplomatët dhe ekspertët përshkruan skenarë të ndryshëm nëse SHBA-ja vendoste të tërhiqej.
Ato variojnë nga ndërprerja e ndihmës së drejtpërdrejtë për Ukrainën deri te ndalimi për transferimet e çdo teknologjie amerikane, duke përfshirë komponentët ose softuerët në armët evropiane.
“Çdo tërheqje e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën mund të krijojë vështirësi serioze për Evropën”, thanë analistët dhe diplomatët.
Aftësia e Kievit për të vazhduar luftën do të varet nga vullneti politik evropian për të mbledhur para dhe armë – dhe sa shpejt mund të sigurohet ndihma nga Uashingtoni.
“Nëse do të ishte e lehtë, Evropa do të bënte tashmë gjëra pa Amerikën”, tha një diplomat evropian, i cili foli në kushte anonimiteti.
Nga do të vinin paratë?
“Asnjë paketë e re e SHBA-së për Ukrainën nuk është miratuar që kur Trump erdhi në detyrë, edhe pse vendet evropiane i kanë ofruar kolektivisht Ukrainës më shumë ndihmë sesa Uashingtoni”, sipas Institutit “Keil”.
“Evropa ka kontribuar rreth 157 miliardë dollarë, rreth 26 miliardë dollarë më shumë se SHBA-ja, megjithëse Uashingtoni e tejkalon pak Evropën kur bëhet fjalë për ndihmën ushtarake”, tha instituti me seli në Gjermani.
“Do të jetë e vështirë, por ka mënyra se si Evropa mund të gjejë para për të financuar Ukrainën – duke përfshirë sekuestrimin e aseteve të ngrira ruse”, tha Heisbourg.
“Gabimi i madh i Evropës ishte ndërmarrja e një reduktimi të madh ushtarak pas Luftës së Ftohtë dhe mendimi se kjo luftë filloi në shkurt 2022 dhe jo në shkurt 2014, kur Moska pushtoi dhe më pas aneksoi Krimenë”, tha Thomas Gomart, drejtor i IFRI për çështjet ndërkombëtare.
Evropianët po përpiqen të blejnë armë për veten e tyre dhe për Ukrainën, ndërsa përballen me kufizime në kapacitetin e prodhimit, një industri të fragmentuar të mbrojtjes dhe nga varësia amerikane prej disa dekadash.
Disa kapacitete shtesë prodhimi mund të vijnë nga Ukraina, e cila ka rritur prodhimin e municioneve dhe dronëve që nga pushtimi i Rusisë.
“Shumë më të vështira për t’u zëvendësuar janë armët e avancuara amerikane, përfshirë mbrojtjen ajrore”, thanë ekspertët.
A mund të zëvendësohen sistemet e armëve amerikane?
Rusia ka sulmuar Ukrainën pothuajse çdo natë që nga pushtimi i forcave ruse në shkurt 2022, duke përmbytur qiellin me raketa dhe dronë, duke përfshirë dronë sulmi artificialë për të shterruar mbrojtjen ajrore të kufizuar të Ukrainës. Në prill, të paktën 57 persona u vranë në sulme të shumta.
“Numri i të vdekurve nga sulmet ruse do të ishte “në mënyrë të pashmangshme” më i lartë pa sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot” – që mbrojnë qiellin e Ukrainës”, tha Douglas Barrie, bashkëpunëtor i lartë për hapësirën ajrore ushtarake në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në Londër.
Sistemet “Patriot” mund të gjurmojnë dhe të kapin raketat ruse, duke përfshirë “Kinzhal” hipersonik, për të cilin Putini është mburrur se është i pandalshëm.
Kievi i përdor ato për të mbrojtur infrastrukturën kritike, duke përfshirë rrjetin energjitik të vendit.
Këtë muaj, Zelensky kërkoi të blinte 10 “Patriot”, një kërkesë që Trump e hodhi poshtë.
“Franca dhe Italia i kanë dhënë Ukrainës sistemin e tyre të mbrojtjes ajrore “Aster SAMP/T”, por çështja nuk është “cilësia, por sasia”, tha Barrie, duke treguar bazën më të madhe industriale të mbrojtjes amerikane dhe rezervat më të mëdha amerikane.
Edhe pse Trump kritikoi Putinin gjatë fundjavës për sulmet e tij me raketa dhe sugjeroi vendosjen e më shumë sanksioneve ndaj Rusisë, për Evropën kjo mbetet një lojë “hidh e prit”.
“Skenari më i keq mund të ishte ndalimi i eksporteve dhe transferimeve të armëve amerikane në Ukrainë, gjë që do t’i pengonte vendet evropiane të blinin armë amerikane për t’ia dhënë Kievit ose të transferonin armë me komponentë ose softuerë amerikanë”, tha Barrie.
Kjo mund të nënkuptojë që vendet, përfshirë Gjermaninë, që tashmë i kanë dhënë raketa amerikane “Patriot” Ukrainës do të ndaloheshin ta bënin këtë.
Një veprim i tillë do të pengonte seriozisht aftësinë e Evropës për të mbështetur Kievin dhe do të shënonte një ndryshim themelor në marrëdhënien e Amerikës me aleatët e saj.
A do të shembej Ukraina pa mbështetjen e SHBA-së?
“Nëse Trump largohet, ose nëse Kievi refuzon një marrëveshje dhe vazhdon të luftojë me mbështetjen evropiane, kjo nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht “shembjen e Ukrainës” – megjithëse më shumë njerëz pothuajse me siguri do të vdesin nëse SHBA-ja tërheq mbrojtjen e saj ajrore dhe pajisjet e inteligjencës”, tha Heisbourg.
“Trump i ka nxitur udhëheqësit evropianë të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e tyre, pavarësisht se kush drejton Shtëpinë e Bardhë”, thanë ekspertët.
Kjo do të thotë që vendet evropiane duhet të investojnë më shumë në mbrojtje, të punojnë së bashku për të rritur prodhimin ushtarak dhe për të ndërtuar besim për të ndarë inteligjencën. //a.i/