KIEV – Zelensky: Armëpushimi treditor i Putinit, një tjetër përpjekje për manipulim

KIEV, 29 prill /ATSH/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi sot armëpushimin treditor të presidentit rus Vladimir Putin, duke e quajtur atë një tjetër përpjekje për manipulim, mes përpjekjeve për të vazhduar bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja, sipas “Kyiv Independent”.
“Tani, edhe një herë, një tjetër përpjekje për manipulim: për ndonjë arsye, të gjithë duhet të presin deri më 8 maj para se të pushojnë zjarrin – vetëm për t’i siguruar Putinit heshtje për paradën e tij”, tha Zelensky.
“Rusia ka refuzuar vazhdimisht të gjitha propozimet dhe vazhdon të manipulojë botën, duke u përpjekur të mashtrojë SHBA-në”, tha Zelensky.
Putini njoftoi dje një armëpushim “humanitar” në luftën e Rusisë kundër Ukrainës për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë.
SHBA-ja ka intensifikuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje në bisedime të ndara paqeje me Ukrainën dhe Rusinë.
Zelensky kritikoi propozimin e Putinit për armëpushimin afatshkurtër dhe vuri në dukje sulmet e Rusisë ndaj objektivave civile më 28 prill – si provë se Rusia nuk dëshiron t’i japë fund luftës së saj kundër Ukrainës.
“Ne vlerësojmë jetët njerëzore, jo paradat. Kjo është arsyeja pse ne besojmë – dhe bota beson – se nuk ka arsye për të pritur deri më 8 maj”, tha Zelensky.
Më 9 maj, Rusia mban paradën ushtarake madhështore për të festuar fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Ukraina dhe shumica e vendeve evropiane shënojnë 8 majin si Ditën e Fitores në Evropë.
“Armëpushimi nuk duhet të jetë vetëm për disa ditë, për t’u rikthyer më pas në vrasje. Ai duhet të jetë i menjëhershëm, i plotë dhe pa kushte – për të paktën 30 ditë për të siguruar që është i sigurt dhe i garantuar”, tha Zelensky, duke përsëritur thirrjet e tij për një armëpushim të plotë.
Zelensky bëri thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar mbi Rusinë për të ndaluar luftën e saj për shkak të mungesës së marrëveshjes nga Moska për një armëpushim.
Ukraina tashmë ka rënë dakord për një armëpushim të plotë 30-ditor të propozuar nga SHBA-ja, duke thënë më 11 mars se Kievi është gati nëse edhe Rusia pranon kushtet. Deri më tani, Moska ka refuzuar.
Zelensky ka bërë thirrje të përsëritura për një armëpushim të plotë 30-ditor, duke thënë më 23 prill se Ukraina këmbëngul për një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte. //a.i/