ANALIZË – Sfidat kryesore në rrugën e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian

BRUKSEL, 11 dhjetor /ATSH/- Bashkimi Evropian i dorëzoi sot Ukrainës një listë të gjatë reformash të nevojshme për t’u bashkuar me bllokun, i vendosur për ta çuar përpara procesin e anëtarësimit pavarësisht luftës së vazhdueshme dhe kundërshtimeve nga vendi anëtar i BE-së, Hungaria, sipas AP.
Zyrtarë të lartë dhe diplomatë të BE-së u takuan sot në qytetin perëndimor ukrainas të Lvivit dhe i dhanë Kievit një listë të gjatë reformash – të nevojshme për t’u bashkuar me bllokun, pavarësisht luftës së vazhdueshme dhe kundërshtimeve nga vendi anëtar i bllokut, Hungaria.
Anëtarësimi në BE është bërë qëllimi qendror për përpjekjet e Ukrainës për t’u “ankoruar” në Perëndim, ndërsa perspektivat për t’u bashkuar me NATO-n kanë ngecur.
Ja një vështrim mbi sfidat kryesore në rrugën e Ukrainës drejt Bashkimit Evropian:
Orban, një pengesë për ambiciet e Ukrainës
Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka këmbëngulur se bisedimet e pranimit nuk duhet të vazhdojnë gjatë kohës së luftës duke përmendur të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë dhe rreziqet ekonomike.
Pavarësisht se është në kundërshtim me të gjitha shtetet e tjera anëtare, Hungaria i është përmbajtur këtij qëndrimi dhe nuk dërgoi një përfaqësues në takimin e sotëm.
Qiproja pranon sfidën
Qiproja u bashkua me BE-në në vitin 2004 dhe mund t’i ofrojë Ukrainës një plan për pranimin në bllok.
Vendi do të marrë presidencën e rradhës së BE-së nga Danimarka më 1 janar dhe ka premtuar se do të vazhdojë punën për procesin e anëtarësimit të Ukrainës.
“Pavarësisht luftës së vazhdueshme të Rusisë, populli ukrainas vazhdon të mbrojë jo vetëm sovranitetin e tij – por edhe vetë parimet mbi të cilat mbështetet unioni ynë: demokracinë, lirinë, dinjitetin njerëzor dhe respektin për të drejtat themelore”, tha në një deklaratë, zëvendësministrja qipriote për Çështjet Evropiane, Marilena Raouna.
Një listë e gjatë detyrash
Ukraina duhet të përafrojë administratën e saj me një mori sistemesh, praktikash dhe rregullash të BE-së – përpara se të bashkohet me bllokun, dhe reformat e kërkuara ndahen në gjashtë “grupe”. Procesi pritet të zgjasë të paktën dy vjet.
Kërkesat e detajuara brenda tre prej këtyre grupeve u ranë dakord sot me Ukrainën, duke mbuluar shtetin e së drejtës dhe institucionet demokratike, tregun e brendshëm dhe marrëdhëniet e jashtme.
Ukraina është në radhën zyrtare të pranimit me tetë vende të tjera – Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Gjeorgjia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia – por negociatat janë në faza të ndryshme dhe jo të gjitha janë aktive.
Marta Kos, komisionerja e BE-së për Zgjerimin – e cila udhëhoqi bisedimet e sotme – tha se ofrimi i një udhërrëfyesi të qartë për Kievin do të ndihmonte në përshpejtimin e ndryshimeve.
“Reformat janë në qendër të këtij procesi dhe askush nuk mund t’i vërë veton Ukrainës për të bërë këto reforma”, tha Kos.
“Ukraina do të bëhet anëtare e BE-së dhe askush nuk mund ta bllokojë atë”, shtoi ajo. //a.i/