Balla: Zgjedhjet e 11 majit, më të hetuarat ndonjëherë

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kujtoi se zgjedhjet e 11 majit ishin “më të hetuarat ndonjëherë”, ndërsa akuzoi Partinë Demokratike se nuk paraqiti asnjë provë për pretendimet e saj.
Gjatë mocionit me debat të kërkuar nga opozita për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, Balla kërkoi që reforma zgjedhore të çojë drejt heqjes së numëruesve të partive, ndërsa theksoi se financimi i partive politike dhe fushatave mbetet një çështje që duhet adresuar urgjentisht.
Balla u ndal po ashtu te vota e diasporës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke theksuar se shqiptarët jashtë vendit dhanë një mesazh të qartë në zgjedhjet e 11 majit 2025. Sipas tyij, “dy ndër tre shqiptarë të diasporës i besuan Edi Ramës dhe Partisë Socialiste”.
“Ky rezultat është i verifikueshëm në të gjitha komunitetet shqiptare në SHBA, Kanada, Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali dhe Greqi”, shtoi ai.
Balla kritikoi Partinë Demokratike për mospërmendjen e diasporës ndërsa falënderoi publikisht qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
“Nuk dëgjova asnjë fjalë për diasporën nga kryetari i PD-së. Dua t’ju them shumë faleminderit motra e vëllezër në diasporë për votën që i dhatë Partisë Socialiste”, tha ai.
Balla theksoi se qeveria ka prioritet forcimin e marrëdhënies me diasporën, duke premtuar që brenda vitit 2026 të gjitha shërbimet konsullore do të jenë të ofruara online dhe se do të shtohet prezenca e konsullatave shqiptare në vendet ku komunitetet janë më të mëdha.
/m.m/j.p/