E Diel, 1 Nëntor 2026

ANALIZË – Tensionet SHBA-Iran rrisin çmimin e naftës

PARIS, 27 shkurt /ATSH-AFP/ – Çmimet e naftës u mbyllën më lart sot mes frikës nga sulmet e SHBA-së në Iran duke ngritur shqetësime për një shpërthim në rajon dhe ndërprerje të furnizimeve globale të naftës bruto.

Çmimi i naftës bruto Brent nga Deti i Veriut, për dorëzimin në prill, u rrit me 2,45% në 72,48 dollarë për fuçi.

Ekuivalenti i saj amerikan, West Texas Intermediate, për dorëzimin në të njëjtin muaj, u rrit me 2,78% në 67,02 dollarë për fuçi.

Çmimet po tregtohen në nivele që nuk janë parë për rreth gjashtë muaj.

“Rreziku i vazhdueshëm i një sulmi ushtarak amerikan në Iran mbetet shqetësimi kryesor në tregun e naftës”, përmbledh Carsten Fritsch, një analist në Commerzbank.

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se nuk ishte “shumë i kënaqur” me progresin e negociatave të vazhdueshme me Teheranin mbi çështjen bërthamore iraniane.

Ai gjithashtu deklaroi se nuk kishte marrë një vendim përfundimtar për sulmet e mundshme të SHBA-së.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, nga ana e tij, i paralajmëroi sot Shtetet e Bashkuara kundër çdo kërkese të tepërt në diskutimet e tyre, duke zbutur optimizmin e shfaqur një ditë më parë pas një raundi tjetër bisedimesh në Gjenevë.

Këto diskutime, të ndërmjetësuara nga Omani, u panë si një nga shanset e fundit për të shmangur luftën, pasi Shtetet e Bashkuara kanë kryer vendosjen e tyre më të madhe ushtarake në Lindjen e Mesme në dekada.

Uashingtoni ka dërguar dy aeroplanmbajtëse në rajon, përfshirë “Gerald R Ford”, më e madhja në botë, i cili pritet në brigjet e Izraelit pasi u largua nga Kreta të enjten.

“Në rast të një sulmi të SHBA-së ndaj Iranit, çmimet e naftës së papërpunuar Brent mund të rriten deri në 10 dollarë”, vlerëson Gregory Brew i “Eurasia Group”.

Irani është një prodhues i madh i naftës dhe kufizohet me Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon gati 20% e prodhimit global.

“Ndikimi në çmime dhe kohëzgjatja e tij do të varet nga shkalla e masave të marra nga Shtetet e Bashkuara dhe veprimet hakmarrëse të Iranit”, shpjegon Brew.

Tensionet midis dy kundërshtarëve pothuajse po e eklipsojnë takimin e planifikuar për të dielën midis tetë anëtarëve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatëve të saj (OPEC+).

“OPEC+ pritet të rrisë prodhimin e naftës vetëm pak duke filluar nga prilli”, vëren Fritsch.

Tregtarët parashikojnë një rritje të kuotave prej 137 000 fuçi në ditë.

“Por, rreziqet gjeopolitike nënkuptojnë se çmimet nuk ka gjasa të bien nën presion në rënie, të paktën për momentin”, përfundon analisti./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›