Nis programi Grant 2026, Ibrahimaj: Mbështetje për startup-et dhe inovacionin

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në nisjen e zbatimit të programit Grant 2026, një skemë mbështetëse që synon forcimin e ekosistemit të startup-eve dhe nxitjen e inovacionit në vend.
Gjatë aktivitetit, Ibrahimaj u shpreh se ishte frymëzuese të shihje pjesëmarrjen e gjerë të të rinjve në sesionet formuese, ku ata prezantuan idetë e tyre, ndanë eksperienca dhe hodhën hapat e parë drejt sipërmarrjes.
“Grant 2026 ishte frymëzuese të shihja kaq shumë të rinj pjesë të sesioneve formuese, duke prezantuar ide, duke ndarë eksperienca dhe duke hedhur hapat e parë drejt sipërmarrjes”, tha ministrja.
Sipas saj, ekosistemi i startup-eve në Shqipëri po njeh rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Ide që nisin si projekte të vogla po kthehen në produkte konkrete, ndërsa ekipe të reja po krijohen dhe gjithnjë e më shumë të rinj po zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri përmes inovacionit dhe teknologjisë.
Ibrahimaj theksoi se përmes Grant 2026 do të vijojë mbështetja financiare dhe institucionale për startup-et, duke krijuar instrumente të reja që i ndihmojnë ato të rriten, të forcojnë kapacitetet dhe të konkurrojnë në tregje më të gjera rajonale dhe ndërkombëtare.
Ajo shtoi se mbështetja e sipërmarrjes inovative është një nga prioritetet e qeverisë, pasi kontribuon në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e produktivitetit dhe modernizimin e ekonomisë.
Në përfundim, ministrja falënderoi të gjitha startup-et që ndanë eksperiencat e tyre, si dhe çdo të ri që zgjedh të investojë në ide dhe teknologji, duke theksuar se mbështetja për inovacionin do të vijojë të zgjerohet në kuadër të politikave për zhvillimin ekonomik të vendit.
Programi Grant 2026, ofron një mbulim të pjesës më të madhe të kostove të projekteve, në varësi të fazës së zhvillimit të startup-it, duke filluar nga faza fillestare deri te shkallëzimi i biznesit.
Në fazën fillestare (F1), skema garanton mbulim 100% të kostove të projektit, me një maksimum prej 1.500.000 lekë, duke mundësuar që sipërmarrësit të fokusohen te zhvillimi i idesë pa pasur barrën e kostove fillestare.
Për startup-et në fazën e validimit (F2), mbulimi arrin 85% të kostove të buxhetit të miratuar, deri në 4.500.000 lekë, duke ndihmuar testimin dhe përsosjen e produkteve në treg.
Ndërsa për ato në fazën e rritjes (F3), programi ofron mbulim prej 75% të kostove të buxhetit, deri në 9.000.000 lekë, duke lehtësuar shkallëzimin dhe zgjerimin e bizneseve me potencial të lartë.
1 nga 4/r.e/