E Diel, 1 Nëntor 2026

ARRSH: Hapet qarkullimi në Qafë Thore, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi mbrëmjen e sotme se rruga në segmentin Qafë Thore-Theth është aktualisht e hapur.

Sipas ARRSH po vijon puna për pastrimin e borës, ndërkohë që kontraktori i mirëmbajtjes së rrugës ndodhet në terren me mjete dhe punëtorë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment nëse do të jetë e nevojshme.

ARRSH bën me dije se ndërkohë vijon monitorimi i situatës për shkak të rrezikut të mundshëm nga ortekët.

ARRSH thekson se “reshjet e borës po vazhdojnë dhe, nëse shtohen gjatë natës, ekziston rreziku i riaktivizimit të ortekëve”.

Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në këtë aks, duke ndjekur udhëzimet e strukturave përgjegjëse dhe duke respektuar rregullat e sigurisë rrugore.

Rruga Qafë Thore-Theth u bllokua sot paradite plotësisht si pasojë e rënies së ortekëve në zonën pranë tuneleve panoramike. Për shkak të rrezikut të lartë, qarkullimi u ndalua për të gjitha automjetet, përfshirë edhe mjetet borëpastruese.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›