E Martë, 3 Nëntor 2026

ASKS konsultime me grupet e interesit për dy projektvendime

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka organizuar një sërë takimesh konsultuese me grupet e interesit mbi dy projektvendime të rëndësishme bazuar në ligjin “Për Sigurinë Kibernetike”.

Sipas ASKS-së, projektvendimet janë, ai “Për miratimin e Skemës Kombëtare të Certifikimit të Sigurisë Kibernetike”, i cili përcakton procedurat dhe kërkesat për certifikimin e produkteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), në përputhje me skemën e përbashkët evropiane për certifikimin e sigurisë kibernetike (EUCC) dhe projektvendimi “Për Përmbajtjen dhe Mënyrën e Dokumentimit të Masave Organizative, Teknike dhe Operacionale të Sigurisë Kibernetike dhe Kategorizimin e Afateve”, që synon harmonizimin dhe standardizimin e mënyrës së dokumentimit të masave të sigurisë si dhe përcaktimin e afateve të zbatimit, bazuar në kategorinë e subjektit dhe nivelin e riskut.

Sipas ASKS-së, këto projektvendime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të legjislacionit shqiptar me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë kibernetike, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi të unifikuar dhe të zbatueshëm që reflekton standardet ndërkombëtare.

Drejtori i AKSK, Igli Tafa, vlerësoi rëndësinë e përfshirjes aktive të palëve të interesuara në këtë proces, si një komponent kyç për ndërtimin e një kuadri funksional dhe të qëndrueshëm të sigurisë kibernetike.

Në konsultimet e zhvilluara morën pjesë përfaqësues të kompanive që ofrojnë ose prodhojnë produkte dhe shërbime TIK, ekspertë të pavarur, institucione publike, si dhe përfaqësues të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Në njoftimin e ASKS-së thuhet se diskutimet u fokusuan në përmbajtjen teknike të projektvendimeve, zbatueshmërinë e tyre dhe ndikimin praktik që pritet të kenë në rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në vend. Komentet dhe sugjerimet e mbledhura do të shërbejnë për finalizimin e akteve në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

Të dy projektvendimet janë të hapura për konsultim publik dhe të publikuara në faqen zyrtare të AKSK.

ASKS gjatë konsultimeve me grupet e interesit për dy projektvendime 1 nga 14

/a.f/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›