E Diel, 1 Nëntor 2026

AUSTRALI – Nxehtësia ekstreme rrit mundësinë e zjarreve të reja

SIDNEJ, 26 janar /ATSH-DPA/- Disa pjesë të mëdha të Australisë janë prekur nga nxehtësia ekstreme me temperatura që i afrohen 50 gradë Celsius.

Zjarret në shkurre shkaktuan sot evakuime në juglindje të vendit.

Shtetet e Australisë Jugore, Victoria, Uellsi i Ri Jugor dhe Queensland janë prekur kryesisht më rëndë.

Sipas raportimeve të medieve australiane, bëhet fjalë për një nga episodet më të nxehta të motit ndër vite, dhe janë lëshuar paralajmërime për rreziqe të mundshme për popullsinë dhe shërbimet e emergjencës.

Ditët e fundit janë regjistruar temperatura mbi 40 gradë në disa vende.

Temperaturat prej rreth 49 gradë Celcius priten të arrijnë nesër në disa vende, në Victoria.

Temperaturat pritet gjithashtu të rriten në rreth 45 gradë Celcius në qytetin e Melburnit – ku aktualisht po zhvillohet turneu i tenisit “Australian Open”.

Kjo do të ishte pothuajse e barabartë me rekordin e mëparshëm prej 46,6 gradësh, i cili u vendos në shkurt të vitit 2009.

Temperaturat në disa pjesë të shtetit të Australisë Jugore ka të ngjarë të rriten në më shumë se 49 gradë Celcius.

Qyteti i Adelaides parashikohet të arrijë 46 gradë Celcius.

Një valë e zgjatur e nxehtësisë është e pazakontë edhe sipas standardeve australiane.

Disa zjarre në shkurre u intensifikuan në Victoria. Zjarret e pakontrolluara u përhapën në Otway Ranges në jugperëndim të Melburnit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›