AZHBR marrëveshje bashkëpunimi me agjencinë homologe polake

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi mori pjesë në konferencën e 58-të të drejtorëve të Agjencive të Pagesave të Bashkimit Evropian, që u zhvillua nga data 19 deri 21 nëntor në Kopenhagë (Danimarkë).
Kuçi bëri të ditur se, gjatë punimeve u trajtuan tema kyçe për administrimin e skemave bujqësore, përfshirë përdorimin e Inteligjencës Artificiale, thjeshtimin e proceseve administrative, rritjen e efikasitetit institucional dhe avancimin e tranzicionit të gjelbër.
Në kuadër të konferencës, AZHBR nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë polake për Ristrukturimin dhe Modernizimin e Bujqësisë (ARMA), me qëllim përgatitjen e sistemeve dhe stafit për zbatimin e fondeve Bujqësore Evropiane për Zhvillim Rural (EAFRD) dhe Fondi Evropian i Garancisë Bujqësore (EAGF), si dhe mekanizmave të Fondit Evropian të Garancisë Bujqësore (EAGF) dhe standardeve të Bashkimit Evropian.
Ky aktivitet forcon shkëmbimin e përvojave me agjencitë homologe europiane dhe synon përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve që AZHBR ofron për fermerët në të gjithë vendin.
1 nga 5/j.p/r.e/