E Diel, 1 Nëntor 2026

Amendimi i ligjit për komisionet hetimore, Bylykbashi: Plotësohet vakumi ligjor

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale shqyrtoi sot disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”.

Këto ndryshime vijnë si nismë e deputetëve të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Aulona Bylykbashi.

Prezantimi i projektligjit u bë nga bashkënismëtarja Bylykbashi, e cila sqaroi nevojën e sjelljes së ndryshimeve ligjore dhe risitë, duke nënvizuar se nisma synon të saktësojë dhe përmirësojë më tej kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e komisioneve hetimore.

Sipas saj, nisma reflekton kërkesat kushtetuese të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese. Bylykbashi sqaroi se amendimet e disa neneve të ligjit ekzistues, vijnë si nevojë e plotësimit të vakumit ligjor të krijuar në legjislacion dhe nënvizoi se ndryshimet janë procedurale dhe synojnë përmirësimin e veprimtarisë parlamentare dhe respektimin e standardeve kushtetuese.

Deputeti Bledi Çomo, në cilësinë e relatorit vlerësoi se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren dhe theksoi se nisma synon respektimin e standardeve kushtetuese.

Gjatë diskutimeve deputetët paraqitën disa sugjerime për riformulimin e disa neneve, të cilat do t’i kalojnë për shqyrtim komisionit përgjegjës. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

Po ashtu në mbledhjen e sotme komisioni shqyrtoi nen për nen edhe projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”. Në cilësinë e relatorit, deputeti Ermal Elezi bëri një përmbledhje të dëgjesave të zhvilluara me një sërë institucionesh të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj, lidhur me parashikimet buxhetore dhe adresimin e nevojave për mbështetje financiare në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Elezi sqaroi se komisioni ka dakordësuar me Ministrinë e Financave për rialokimin e fondeve për disa institucione, pasi ka bërë një analizë të kujdesshme lidhur me kërkesat dhe duke iu dhënë prioritet atyre që ndikojnë dhe kontribuojnë në përmbushjen e realizimit të rekomandimeve të rezolutave të Kuvendit.

Pas diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026” me sugjerimet përkatëse për komisionin përgjegjës.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›