Abdixhiku: Osmani kandidate për presidente, s’bëjmë kompromise

PRIAHTINË, 7 qershor/ATSH/- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se ka shënuar rritje të konsiderueshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke e cilësuar rezultatin preliminar si fillim të ringritjes së partisë.
Në konferencën për media pas publikimit të rezultateve preliminare, kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente në kuadër të diskutimeve për formimin e institucioneve të reja. Ai theksoi se LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj premtimeve me të cilat ka kërkuar besimin e qytetarëve e që Osmani do të jetë pikënisja e çdo bisedimi për president.
“Nuk do të kishte kuptim që të dilnim në fushatë me kandidaturën për presidente e më pas në konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve t’i refuzonim në momentin e parë. Nuk është politikë e imja e as e LDK-së. Nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromise me gjërat që kemi kërkuar mbështetje qytetare. Jemi të interesuar për stabilitet institucional. Ne kemi qenë të gatshëm për bisedime me të gjitha partitë shqiptare, përveç Listës Serbe. Dhe jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai tha se qytetarët e Kosovës folën qartë përmes votës së tyre në një proces që, sipas tij, ishte i lirë, i qetë dhe demokratik. /Kosovapress/