Osmani pas rezultateve: Ky është veç hapi i parë i ringritjes së LDK-së

PRISHTINË, 7 qershor/ATSH/ Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, ku kjo parti ka marrë 17,69 %.
Në një konferencë pêr mediet, Osmani falënderoi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për përkrahjen që u kanë dhënë në këto zgjedhje.
Ajo theksoi se këto zgjedhje “përkundër kohës tepër të shkurtër që kishim në dispozicion për fushatë dhe për të prezantuar vizionin tonë, e rritën LDK-në apo votën elektorale për rreth 34 për qind, apo tani jemi në 20 mandate, e që është rritja më e madhe që ka pasur cilido subjekt politik që ka garuar në këto zgjedhje”.
“Natyrisht që ky është veç hapi i parë drejt ringritjes, por kjo rritje na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë dhe, edhe me shumë më shumë punë në terren, afër qytetarëve tanë, besoj që LDK-ja do të vazhdojë të ringritet edhe më tej”, tha Osmani.