E Diel, 1 Nëntor 2026

Abissnet Superiore në RTSH/ Katër skuadra pa fitore në 2026-ën, Dinamo ende pa gol

Viti 2026 ka nisur keq për katër nga 10 skuadrat e Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH. Bëhet fjalë për Egnatian kampione në fuqi, Dinamo City, Teutën dhe Bylisin.

E përbashkëta e këtyre 4 skuadrave është se nga 4 ndeshje kampionati të zhvilluara deri tani për këtë vit kanë marrë secila nga 2 pikë, me 2 barazime dhe 2 humbje. Egnatia është mundur nga Vllaznia dhe Tirana dhe ka barazuar me Elbasanin dhe Bylisin.

Më keq nga këto 4 skuadra ka bërë Dinamo City e trajnerit Ilir Daja, që jo vetëm nuk ka fituar, por nuk ka mundur të shënojë asnjë gol në këto 4 javë të fazës së tretë. Blutë janë mundur nga Vllaznia dhe Elbasani, ndërkohë që kanë barazuar 0-0 me Teutën dhe Bylisin.

Teuta e ka thelluar krizën në 2026-ën, ku ka barazuar me Dinamon dhe Vorën, si dhe është mundur nga Partizani dhe Vllaznia. Trajneri Enkeleid Dobi rrezikon shumë shkarkimin, pasi skuadra ka mbetur prapa 4-shes së kreut. Bylisi, pas humbjeve me Tiranën dhe Flamurtarin, ka marrë 2 barazime me Egnatian dhe Dinamon.

Në anën tjetër, ecurinë më të mirë për 2026-ën e ka pasur Vllaznia, me 4 fitore radhazi. Pas saj vjen Tirana, me 3 fitore dhe 1 barazim, që e kanë larguar nga fundi i tabelës së renditjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›