E Diel, 1 Nëntor 2026

Aborti, mentaliteti që rrezikon jetën, nga padija e jeta intensive vajzat marrin vendime pa konsultë

Dhjetëra vajza dhe gra mendohet se kryejnë abort mjekësor jashtë vëmendjes së mjekëve dhe sistemit shëndetësor, duke marrë pilulat nëpër farmaci siç do të merrnin një paracetamol. Mjekët gjinekologë thonë se këto veprime, të nxitura nga faktorë të ndryshëm, shpesh përfundojnë në urgjencat e materniteteve me pasoja të rënda për shëndetin. Sipas tyre, fenomeni është më i përhapur te vajzat e reja dhe gratë në zonat rurale.

Ndërprerja e shtatzënisë jo gjithmonë ndodh sipas protokolleve të sigurta. Mjekët gjinekologë sot përballen jo rrallëherë me pasojat e aborteve që janë kryer pa konsultë profesionale, duke u bazuar në informacione të marra sa në internet, aq edhe nga shoqëria. Fenomeni duket se është më i shpeshtë te vajzat e reja.

“Shpeshherë nga nxitimi për të mbaruar punë, nga frika dhe padija, marrin vetë vendimin për të bërë vetë abort, qoftë duke u informuar edhe nëpërmjet internetit. Më të prirura janë moshat e reja, por edhe gra më në moshë, që jetojnë në zona në distancë nga qyteti, që kanë akses më të pakët drejt institucioneve ose që kanë jetë të ngarkuar familjare”, thotë Enkeleda Prifti, shefe e shërbimit të gjinekologjisë “Koço Gliozheni”.

Rruga më e shkurtër e një aborti është ajo përmes pilulave, të cilat aksesohen lehtësisht në çdo farmaci, por kjo mënyrë jo gjithmonë shkon mirë.

“Duke tejkaluar kriteret diagnostike mjekësore, ato vënë në rrezik veten e tyre. Pa u vlerësuar nga gjinekologu, analiza e gjakut, e grupit të gjakut, lokalizimi i shtatzënisë, nuk mund ta marrë pilulën, sepse, siç mund të shkojë mirë, ka edhe shumë raste që situata mund të komplikohet. Ne këtë e kemi parë në institucionet tona shëndetësore”, thotë Prifti, shefe e shërbimit të gjinekologjisë “Koço Gliozheni”.

Shefja e shërbimit të gjinekologjisë në maternitetin “Koço Gliozheni” thotë se pasojat e një vendimmarrjeje të tillë shkojnë deri në fatalitet.

“Mund të jetë një hemorragji jashtë kontrolli jetëkërcënuese, nëse nuk merr ndihmën e duhur dhe këshillat e duhura edhe pas abortit. Mund të rrezikohet edhe nëse nuk konstatohet lokalizimi, pasi mund të jetë një shtatzëni jashtë mitrës, e cila mund të çahet dhe të kthehet në rrezik, pasi hemorragjia mund të ndodhë brenda në bark”, thotë Prifti.

Me mbështetjen e Fondit për Abort të Sigurt dhe Qendrës Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim, mjekë të sistemit parësor dhe gjinekologë janë informuar mbi shëndetin riprodhues dhe teknikat e ndërprerjes së shtatzënisë, me qëllim promovimin e të drejtave riprodhuese të sigurta në Shqipëri.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›