FOTOT- Dëmtoi monumentin e kulturës, arrestohet 44-vjeçari në Klos, po ndërtonte pa leje pranë “Urës së Vashës”

Një ndërhyrje e paligjshme që cenonte trashëgiminë kulturore ka çuar në pranga një 44-vjeçar në zonën e Klosit. Policia ka ndërhyrë në flagrancë duke ndaluar punimet pranë monumentit të njohur “Ura e Vashës”, ku po ngrihej një objekt pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, gjatë kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e krimeve mjedisore, kanë konstatuar shtetasin M. S., banues në fshatin Fshat të Klosit, duke kryer punime të jashtëligjshme.
Sipas njoftimit zyrtar të bluve, “44-vjeçari u kap në momentin që po ndërtonte një objekt pa u pajisur me lejen përkatëse”.
Këto punime po kryheshin duke ndërhyrë direkt në zonën e mbrojtur të monumentit të kulturës, duke rrezikuar integritetin e tij.
Ndaj të arrestuarit rëndojnë dy akuza specifike që lidhen me dëmtimin e pronës publike dhe historike. Policia ka referuar rastin për veprat penale:
“Shkatërrimi i veprave kulturore”
“Ndërtimi i paligjshëm”
Autoritetet kanë bërë të ditur se “monitorimi i territorit do të vijojë me intensitet për të goditur çdo tentativë paligjshmërie, veçanërisht ato që dëmtojnë mjedisin dhe historinë”.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme ligjore.
Rreth monumentit
“Ura e Vashës” është një monument kulturor me rëndësi historike dhe arkitekturore në zonën e Matit, dhe çdo ndërhyrje e paautorizuar në të përbën vepër penale.
/rtsh.al/