E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata Tatimore nis kontrollet në sektorin e ndërtimit për nëndeklarimin e pagave, Malaj: Të angazhuar për formalizimin e ekonomisë

Pas përfundimit të fazës së ndërgjegjësimit, Administrata Tatimore ka nisur kontrollet në terren ndaj subjekteve me risk për nëndeklarim pagash, me fokus të veçantë sektorin e ndërtimit.

Kontrollet do të përqendrohen tek kompanitë që raportojnë paga më të ulëta se niveli i tregut, me synim mbrojtjen e kontributeve shoqërore dhe garantimin e të drejtës për pension në të ardhmen.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka theksuar se ky proces është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë në treg.

“Përfundon faza e ndërgjegjësimit, nis faza e kontrollit në sektorin e ndërtimit. Pas një fushate ndërgjegjësimi, Administrata Tatimore nis kontrollet në terren ndaj subjekteve me risk për nëndeklarim pagash me fokus sektorin e ndërtimit. Kontrollet do të fokusohen në subjektet të cilat kanë paga më të ulëta se tregu, me synim mbrojtjen e kontributeve shoqërore dhe të drejtës për pension në të ardhmen. Mbetemi të angazhuar për formalizimin e ekonomisë dhe garantimin e konkurrueshmërisë në treg”, shkruan ministri Petrit Malaj.

Kontrollet në terren kanë nisur prej 15 janarit, ndërsa ky proces vjen në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe synon rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve.

Pas publikimit të listës së pagave indikative për këtë sektor, rreth 30 ditë më parë, tatimpaguesit janë njoftuar elektronikisht në sistemin e-Filing.

Kontrollet do të fokusohen në verifikimin e pagave të deklaruara, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e cila është përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve dhe publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›