Rama: Bashkitë të bëhen sipërmarrëse, partneritet me privatin

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se këtë vit, po bëhet një hap kuptimplotë në drejtim të bashkive sipërmarrëse, një qasje që i ndihmon bashkitë të jenë një forcë lokale vendore që merr pjesë në jetën ekonomike të territorit.
Gjatë takimit që po zhvillohet në Golem të Durrësit, me kryebashkiakët për sfidat e bashkive për 2026, Rama tha se bashkitë mund të jenë forcë ndikuese për zhvillimin ekonomik dhe në emër të interesit publik dhe funksionit publik të gjenerojë të ardhura.
“Vazhdojmë të mbetemi vendi i fundit në çdo lloj klasifikimi në Evropë, por në nivele shumë të ulta dhe në botë ku pushteti vendor vetëm shfrytëzon taksat për të funksionuar, shfrytëzon taksat e shqiptarëve që i mbledh pushteti qendror dhe një pjesë të tyre e shpërndan për pushtetin vendor. Shfrytëzon tarifat vendore, por nëse pyetet cilido prej jush sa të ardhura i ka sjellë bashkia vetes me veprimtari ekonomike, shifrat janë qesharake dhe ato lidhen vetëm me qiratë”, tha Rama.
Ai shtoi se hapësira është shumë e madhe për të futur bashkitë si një lojtar aktiv i zhvillimit ekonomik dhe si përfitues nga ky zhvillim.
“Ne këtë gjë po e bëjmë edhe në nivel qendror, por edhe aty jemi shumë mbrapa, por janë krijuar kushtet. Do të kishte qenë tejet e vështirë më parë. Të fillojmë të krijojmë shtetin sipërmarrës, duke u bërë partner me sektorin privat, dhe duke marrë pjesë në fitimin e sipërmarrjes. Këtë gjë po e bëjmë në industrinë ushtarake, po e bëjmë me AIC, po përpiqemi ta bëjmë në çdo sektor duke vënë në dispozicion të iniciativave sipërmarrëse, asetet tona ose duke investuar para drejtpërdrejtë siç bëmë me investimin në start up-in e Mira Muratit që sot ka një vlerë më të lartë se vlera fillestare. Kur ne u bëmë partnerë shumë të vegjël me vetëm 10 milionë euro dhe ku sot vlera e përfituar llogaritet mbi 50 milionë euro, që është vlerë e aksioneve, nuk është vlerë që ne e kemi tërhequr sepse kjo ndodh sipas rregullave”, theksoi Rama.
Kreu i Ekzekutivit deklaroi se do të vazhdojnë kushtëzimet në shpenzimin e fondeve me çfarë kthehet mbrapa këtij fitimi, duke theksuar se është përgatitur një matricë për të matur sa të ardhura jashtë buxhetit të shtetit krijojnë këto ministri.
“Deri dje kemi dhënë shumë asete falas. Janë dhënë dhe lënë rrugëve në të shkuarën asete që nuk numërohen. Janë lënë në duar të pasigurta plot prona shtetërore që nuk janë përkthyer në investime serioze dhe të ardhura për ekonominë tonë”, tha Rama.
Rama shtoi se “janë dhënë pafundësi tokash për zhvillim dhe kjo gjë ka ndaluar përfundimisht”.
“Ne nuk japim asnjë metër katror tokë nëse një ndërtues gjendet në kushtet kur ka 95% të pronës dhe 5% është pronë shtetërore dhe në të shkuarën ndërtuesi paguante një çmim reference dhe merrte tokën. Për çdo metër katror tokë ku pronar është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronarë për të marrë mbrapsht atë që i takon shtetit”, tha ai.
“I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike që është 1 euro është hoteleria. Pra, në rast se ka dikush një pronë private dhe një pjesë është shtet, ose në rast se në një zhvillim të caktuar ka një resort turistik dhe aty ka një pjesë shtetërore, nuk bën vaki që pjesa shtetërore të jepet për vila e pishina, por vetëm hoteleri”, pohoi Rama.
Kryeministri Rama shtoi se në këtë drejtim bashkitë mund të marrin një rol të rëndësishëm në bashkëpunim me AIC mund të bëjnë projekte dhe mund të bëjnë zhvillime të jashtëzakonshme me përfitim që shkon nga ndërtimi i aseteve publike si zyra, shkolla, kopshte, deri te përfitimi i të ardhurave të drejtpërdrejta.
/e.i/j.p/