Administrata në trajnim për inteligjencën – 500 punonjës dhe 100 zyrtarë, mësime për shtetin digjital

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe ekspertë nga institute ndërkombëtare kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon trajnimin falas të mbi 600 profesionistëve të administratës publike në përdorimin e inteligjencës artificiale.
Ministrja e linjës, Adea Pirdeni, tha se kjo nismë e re shënon një hap konkret drejt ndërtimit të kapaciteteve digjitale në administratë.
“600 zyrtarë publikë shqiptarë, 100 prej tyre lider dhe 500 zyrtarë publikë me funksione ekzekutive dhe në funksion të lidershipit të mesëm, do të munden të trajnohen për përdorimin e inteligjencës artificiale në punën e tyre të përditshme,” deklaroi ministrja Pirdeni.
Nisma e re, sipas Pirdenit, do të sjellë një ndihmë të vyer edhe për përkthimin dhe përshtatjen e legjislacionit europian.
“E gjithë puna e jashtëzakonshme legjislative që Shqipëria do të bëjë për të marrë korpusin e legjislacionit të BE-së për ta bërë pjesë të legjislacionit shqiptar kërkon një punë të jashtëzakonshme. Ky sistem i ri synon në këtë drejtim që të ndihmojë të gjitha stafet tona të krahasojnë dhe përshtatin legjislacionin e BE-së me atë vendas,” tha ministrja e Shtetit.
Nga ana e saj drejtoresha e AKSH-it, Mirlinda Karçanaj, tha se trajnimi në inteligjencën artificiale i vjen në ndihmë jo vetëm administratës publike, por edhe qytetarëve dhe bizneseve në vend.
Gazetar: Hajri Mahmutaj
/rtsh.al/